E Hënë, 2 Nëntor 2026

"E vraftë buka që i kam dhënë, më shkatërroi familjen"

15/12/2004  

TIRANË – "I kam dhënë bukën e gojës që e vraftë ishalla, më shkatërroi jetën e vajzës dhe të gjithë familjes". Këto janë fjalët e një njeriu të varfër nga fshtrat e Dibrës, i cili prej disa muajsh është detyruar të shpërngulet nga turpi e të jetojë në Durrës. Kujtim Hartçiu, ka shpjeguar për më shumë se dy orë dje, para Gjykatës së Krimeve të Rënda historinë e mashtrimeve që ka pësuar nga i pandehuri Hamza Karoshi, të cilin e mbajti për dhëndër gjashtë muaj me radhë. Tha se e ka mbajtur me bukë dhe se gjatë gjithë kohës i ka besuar vajzën e tij, Mirandën. E fejoi sipas zakoneve të vendit ku jetonte. Të gjithë e mësuan se vajza tashmë ishte e fejuar dhe shumë shpejt do të krijonte familje. Por askush nuk e dinte se dhëndri ishte "fals". Ai mbante në shtëpinë e babait gruan dhe dy fëmijët, ndërsa Mirandën ishte i detyruar ta mbante për ta trafikuar në Itali. "Ka qëndruar te shtëpia jonë për gjashtë muaj. Kemi bërë të gjitha punët së bashku. Ditën largohej për në qytet, ndërsa natën vinte e flinte në shtëpinë tonë, bashkë me vajzën. Nuk i kam bërë keq njeriut dhe nuk e di përse më katandisi kështu ky njeri". Fjalët e babait të vajzës të binin në vesh si bombë dhe në të njëjtën kohë ato ishin edhe sinjal për gjykatën. Ndërsa i pandehuri Hamza Karoshi dhe bashkëpunëtori i tij, Bujar Sinjari, nuk kishin çfarë bënin tjetër, veçse të mbanin kokën poshtë. Në sallën e gjyqit ndodhej edhe vetë vajza e trafikuar në Itali. Por ajo nuk dëshmoi, pasi ka bërë sigurimin e provës. Hamza Karoshi, sipas babait të vajzës, Kujtimit, ka bërë tregti me familjen e tij. Pasi i shiti viçin e shtëpisë, i mori vajzën me mashtrime dhe më pas e shiti për të punuar si prostitutë në Itali. Familja e Haratçiut, që në pamje të parë të jep përshtypjen se është në gjendje të rëndë ekonomike. Por edhe vetë prindërit me gojën e tyre nuk ngurrojnë të tregojnë në gjykatë se kanë pasur si pasuri një viç, që ia shiti i pandehuri, me pretendimin se do të ikte në Itali me vajzën për të filluar një jetë të re. Vetë të pandehurit nuk kanë dhënë shpjegime para gjykatës. Por me sa duket deklarimet e prindërve të vajzës i kanë detyruar të heshtin. Ngjarja ka ndodhur në fillim të këtij viti. Denoncimin, fillimisht, e ka bërë vetë vajza, sapo është kthyer nga policia italiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›