E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çepa, e vrava Isufin për një orë me zile

15/12/2004  

TIRANË - Sajmir Çepa, akuzuar për veprën penale të vrasjes me paramendim të shtetasit Isuf Pirra, dje ka pranuar fajësinë. "Po e vrava unë, sepse u zumë për një orë me zile. Zënka qe e madhe, unë nuk e durova dot dhe e kam therur me thikën e bukës, pastaj e kam varrosur afër shtëpisë, ku qëndronim me qira në Greqi". Kështu ka deklaruar dje, i pandehuri Sajmir Çepa nga Lushnja, para Krimeve të Rënda. Më pas, ai është shprehur se e ka ndjerë gabimin dhe ka ardhur në qytetin e tij vetëm për t'u dorëzuar. "Unë u dorëzova vetë për krimin që bëra dhe besoj se ky veprim do të më ndihmojë në lehtësimin e akuzave". I pandehuri dha dje shpjegimet e fundit, duke i lënë radhën prokurorit Përparim Kulluri të japë konkluzionet e fundit dhe të kërkojë masën e dënimit. Sipas akuzës, vrasja ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar. Ishin në Greqi. Viktima Isuf Pirra ka qenë i interesuar për të marrë një shtëpi me qira. Kështu, ai është lidhur me të pandehurin Sajmir Çepa, i cili ka patur një ndërtesë dykatëshe për ta dhënë me qira. Sapo kanë hyrë në banesën dykatëshe, në katin e parë të saj grindjet kanë qenë të shumta. I pandehuri ngjitet në katin e dytë, sipër frigoriferit merr një thikë buke dhe i sulet viktimës, Isuf Pirra. E godet me thikë disa herë në pjesën e përparme. Nga goditjet e shumta, Isuf Pirra vdes në vend. I pandehuri, pasi sigurohet për vdekjen, nis punën për zhdukjen e gjurmëve. Ai e largon viktimën nga shtëpia dhe e gropos në një vend afër saj. Ndërsa armën e krimit, thikën, e hedh në një kazan plehrash. Tri ditë pas ngjarjes, nipi i viktimës, Edmond Pirra, arrin të zbulojë gjithçka. Duke ndjekur gjurmët, ai mundi të gjejë të groposur xhaxhanë e tij. Më pas, policia greke e identifikoi nëpërmjet dokumenteve që kishte në xhep. Gjurmët e mbetura në vend e çuan policinë tek i pandehuri Sajmir Çepa. Këtë emër ka dhënë në polici edhe nipi i viktimës. Ndërsa krimi bëhet në Greqi, arrestimi u krye në Lushnjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›