Zani nga Burreli në Tiranë, me shami të zezë në kokë
15/12/2004 TIRANË – Zani Çaushi paraqitet në gjykatë me pamje të ndryshuar. Me mjekër disi të gjatë, me kokën e lidhur me një shami me ngjyrë të zezë e lule të bardha, futet në sallën e gjyqit. Është i detyruar të heqë shaminë kur hyn trupi gjykues dhe e vendos përsëri kur merr sinjalin për t'u nisur në Burrel. Ka shkuar në Burrel menjëherë pas shkeljes së rregullores së burgut në Peqin në shenjë hakmarrjeje. Megjithatë në seancën e djeshme, Zani Çaushi arriti vetëm të vendosë avokatin mbrojtës, për të cilin deri tani kishte bërë të mundur shtyrjen e të gjitha seancave gjyqësore. Çaushi do të mbrohet parë gjykatës nga avokati Asaj Hadëraj. Këtë zgjedhje e bëri pas largimit të avokatit Fariz Xhurxhi. Seanca nuk u arrit të zhvillohej, për faktin se avokati kërkoi kohë të njihej me dosjen penale. Veprat për të cilat akuzohet Myrteza Çaushi ose (Zani i lagjes Çole) janë të shumta. Ato nisin në pranverën e vitit 1997. Bashkë me të janë duke u gjykuar edhe pesë persona të tjerë, të gjithë në mungesë. Ndërkohë, Zani është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, menjëherë pas marrjes së pafajësisë nga Gjykata e Tiranës. Martin Deda e dënoi të pandehurin më 22 mars 1999, vetëm me gjashtë muaj burg, për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Për veprat e tjera u shpall i pafajshëm, pasi mungonin të gjitha provat. Por Zani sapo doli nga burgu bëri dy vrasje të tjera në qytetin e tij të lindjes. Gjyqtari Altin Abdiu, i cili drejton edhe seancën gjyqësore, urdhëroi thirrjen e dëshmitarëve nëpërmjet oficerëve të policisë gjyqësore. Por dihet se kjo fazë është vetëm formale. Asnjë prej dëshmitarëve nuk dihet se ku është. Ajo që është e sigurtë, ka të bëjë me zhdukjen e një pjese të mirë të dëshmitarëve të këtij procesi.