E Hënë, 2 Nëntor 2026

E vrava burrin se na rrihte mua dhe fëmijët

22/04/2005  Vera Qevani para gjykatës: U pendova, por ishte tepër vonë

TIRANË – Ka pranuar gjithçka para gjykatës. Ka shpjeguar se si ka hedhur në filxhanin e çajit barin e miut, për të helmuar burrin duke e bërë këtë me dashje. Megjithatë është munduar të mbrohet, duke u shprehur se e ka mbajtur të fshehur ngjarjen për një kohë të gjatë, me qëllim që të kujdesej për dy fëmijët e vegjël. Vera Qevani, pasi është shprehur lirshëm para gjyqtares Brunilda Kasmi për mënyrën sesi arriti t'i jepte fund lidhjes bashkëshortore me pak bar miu, është dërguar në dhomat e komisariatit numër 4, me masën e arrestit burg pa afat.

Deklarata

"Kisha 15 vite që bashkëjetoja me Gëzim Bajramin. E kisha futur në shtëpinë time dhe me të kam dy fëmijë 6 dhe 9 vjeç. Vitet e para të bashkëjetesës ishin të mira për mua. Më vonë Gëzimi filloi të përdorte dhunë fizike. Ne nuk jetonim në kushte të mira, por gjithsesi mundoheshim të rrisnim fëmijët. Nuk kam pranuar të martohem me të, por kam bërë jetën në bashkëjetesë. Gëzimi ishte shumë negativ. Filloi të pinte. Gati çdo ditë vinte i dehur në shtëpi.Dhuna ushtrohej si ndaj meje, ashtu edhe ndaj fëmijëve. Pra, mua më ishte bërë jeta e zezë. Nuk arrija as ta dëboja nga shtëpia, pasi ai nuk largohej". Kështu e ka filluar deklarimin e saj para gjykatës e pandehura Vera Qevani, 41 vjeçe akuzuar për veprën penale të vrasjes me dashje të burrit të saj gjashtë muaj më parë. Më pas Vera është shprehur se kulmi i zënkave ka arritur ditën e ngjarjes, kur Gëzim Bajrami pas helmimit nuk arriti të shpëtojë nga vdekja. "Edhe atë ditë Gëzimi erdhi në shtëpi i dehur. Pasi më rrahu mua dhe fëmijët, ai u ul për të ngrënë. Më parë më kërkoi një çaj. U mendova dhe menjëherë më shkoi mendja të hidhja në të bar miu, të cilin e mbaja në shtëpi pasi kisha shumë insekte dhe minj. Barin e miut e mbaja në një bidon të cepi i dhomës. Fshehurazi bëra çajin e më pas mora bidonin, duke hedhur disa pika brenda në filxhan. Fillimisht nuk u pendova". Vera Qevani, tha dje në gjykatë se pas helmimit i kishte ardhur keq për burrin dhe arriti ta dërgonte deri në spital. "Unë u pendova disa minuta më pas dhe e dërgova në spital, por ishte tepër vonë. Gëzimi vdiq". Vera tha dje se e ka mbajtur të fshehur këtë ngjarje, me qëllim që të rriste e qetë fëmijët. Ajo deklaroi se nuk mund të lërë fëmijët në duart e nënës së vet 80-vjeçare pa asnjë përkrahje.

Kallëzimi

Organi i prokurorisë i përfaqësuar nga prokurori, Shkëlqim Hajdari tha dje se e pandehura është autore e veprës penale të vrasjes së burrit të saj. Për të zbardhur të vërtetën, prokuroria ka patur ndihmën e vëllait të viktimës. Ka qenë ky i fundit që ka bërë kallëzim fillimisht në polici e më pas në prokurori. Menjëherë është bërë verifikimi i kallëzimit të bërë nga vëllai i viktimës dhe ka rezultuar e vërtetë gjithçka. Sipas prokurorit, lloji i helmit të përdorur është thënë nga vet e pandehura. Ajo ka deklaruar se në shtëpi mbante ilaç për insektet dhe minjtë. Ka treguar edhe bidonin ku e mbante, si dhe vendin. Pra ekspertiza nuk e ka patur të vështirë të zbuloi llojin e helmit të përdorur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›