E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis ndarja e tokës në Ksamil, sipas ligjit 7501

22/04/2005  Kërkohen lehtësira në zonën ku do të kandidojë Kryeministri Nano

Në Ksamil, të Sarandës, do të nisë ndarja e tokës, sipas ligjit 7501 dhe ligjit për trojet. Edhe pse me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, thuhet se tokat e lira nuk do të ndahen më, dy ditë më parë në Ksamil, një përfaqësi e qeverisë ka kërkuar nisjen e punës për ndarjen e tokave. Për këtë është dhënë argumenti se me një dekret të Presidentit, në vitin 1997, është urdhëruar ndarja e kësaj toke. Por, për shkak të trazirave në atë vit, i gjithë procesi është pezulluar. Për këtë qëllim, në ambientet e komunës dje në mesditë një ekip qeveritar ka zhvilluar një takim me këshillin e komunës. Ekipi kryesohej nga këshilltari i Kryeministrit Fatos Nano, Gjergji Duro, ndërsa në takim u bisedua për nisjen e procedurave për hartimin e listave të të gjithë banorëve të Ksamilit, si hapi i parë për ndarjen e tokës. Sipas këshilltarit të Kryeministrit, ky proces është i vonuar në Ksamil, por me ndërhyrjen e Kryeministrit Nano gjërat po marrin rrugën e duhur dhe shpresohet që së shpejti të nisë ndarja e parcelave të tokës, që më parë kanë qenë nën administrimin e fermës së Ksamilit. Sipas Duros, të parat që do të përfitojnë do të jenë familjet, që kanë pasur dokumentacion të plotë deri në vitin 1991, për familjet e ardhura pas vitit '91 do të ketë procedura të tjera ligjore, të cilat do të bëhen publike së shpejti. Në kategorinë e parë janë të regjistruar, me vendim të Këshillit të Ministrave, 426 familje. Kjo është kategoria e parë, që do të përfitojë tokë nga ligji i vitit 1991. Kategoria e dytë janë familjet që kanë ardhur nga '90 deri në '93 me vendim të Këshillit të Ministrave edhe atyre iu është njohur e drejta të përfitojnë njëlloj si 426 familjet e kategorisë së parë. Nga viti '90-'93 në Ksamil janë vendosur 577 familje nga zona të ndryshme të vendit. Ndërsa familjet e pas vitit 1993 do të përfitojnë nga legalizimi i trojeve. Sipas të dhënave nga procesi i nisur përfitojnë tokë nga kjo komunë 1003 familje. Megjithatë, drejtuesit e komunës thanë se shpresojnë që kjo çështje të marrë zgjidhje dhe të mos mbesë në kuadër të fushatës elektorale, pasi Ksamili është komunë në zonën ku Nano kandidon për deputet.

Qeveria merr vendim për zonën turistike të Ksamilit

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 88, datë 01.03. 1993, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”. Ksamili, territori brenda vijës ndërtimore kufizuese të tij është aktualisht qendër e zhvillimit urban dhe si e tillë i nënshtrohet rregullave të ndryshme për zhvillimin e komplekseve të mëdha turistike. Vendimi që miratoi qeveria përcakton tashmë edhe territoret jashtë vijës së verdhë të Ksamilit, si zonë me përparësi në zhvillimin e turizmit.

Ky vendim, përveçse përcakton Ksamilin zonë me përparësi në zhvillimin e turizmit në territorin jashtë vijës kufizuese ndërtimore, përcakton edhe hapësira ligjore për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në këto vite, për shkak të mospajisjes me tokë të ish-punonjësve të ish-NB-së së Ksamilit. "Miratimi i këtij vendimi bën të mundur harmonizimin e politikave të zhvillimit të turizmit me detyrimin për zgjidhjen e interesave të ligjshme të banorëve të kësaj zone, duke patur si prioritet zhvillimin e kësaj zone", thuhet në vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›