Miratohet strategjia për integrimin
22/04/2005 Qeveria miratoi dje "Strategjinë për konsolidimin e një sistemi planifikimi të Integrimit”. Kjo strategji synon konsolidimin dhe zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar në Republikën e Shqipërisë. Projekti është rezultat i një pune 1-vjeçare, për të cilin kanë punuar Sekretariati Teknik, i krijuar me urdhër të Kryeministrit, në konsultim dhe me ekspertë të huaj dhe reflekton konsultimet me donatorët. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është përmirësimi i mëtejshëm i skemës për bashkërendimin e ndihmës së huaj, në përputhje me politikat qeverisëse në tërësi dhe me sistemet e planifikimit financiar, në veçanti. Objektivi kryesor i Strategjisë është ndërtimi i një sistemi planifikimi strategjik të integruar; Duke përmirësuar procesin e hartimit të politikave strategjike, brenda një kuadri financiar të qëndrueshëm; Duke harmonizuar dhe strukturuar sistemet ekzistuese brenda një sistemi të ri planifikimi të integruar; Duke garantuar se asistenca e huaj përputhet me përparësitë tona strategjike; Duke riorganizuar strukturat institucionale, në zbatim të sistemit të ri të planifikimit të integruar. Miratimi i Strategjisë është hapi i parë në arritjen e këtyre objektivave, si pjesë e programit për modernizimin e qeverisjes, që parashikohet të realizohet në disa etapa, brenda një periudhe afatmesme.