E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano kërkon shtyrjen e mbledhjes së Kongresit më 5 maj

22/04/2005  Kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar që të shtyhet data e mbajtes së kongresit elektoral. Kështu socialistët do të zhvillojnë kongresin e tyre në datën 5 maj, pavarësisht se katër ditë më parë Kryesia e PS-së mori vendimin që ai të mbahej më 29 prill. Kjo shtyrje nga kreu i socialistëve argumentohet se është bërë për shkak të përpilimit përfundimtar të strategjive elektorale të PS-së si dhe për të respektuar akoma më shumë ditën e Dëshmorëve të Kombit. Kongresi zgjedhor i PS-së pritet të shqyrtojë çështje të rëndësishme për zgjedhjet e përgjithshme. Miratimi i listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë do të vijohet direkt me nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e kësaj vere. Në kongres do të miratohet dhe platforma elektorale, me të cilën 100 kandidatët e PS-së do të shpalosin gjatë fushatës alternativën socialiste. Gjithashtu, në këtë kongres do të bëhet dhe raporti politik i partisë, i cili do të mbahet nga kryetari Nano. Në kongres pritet të miratohen dhe disa ndryshime në statutin e partisë, ku një vend të rëndësishëm do të zërë qartësimi i funksioneve të strukturës së Komiteteve Zonale Elektorale. Gjithsesi, para mbajtjes së këtij kongresi, socialistët do të zhvillojnë mbledhje të kryesisë si dhe mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, i cili do të përgatisë të gjitha materialet e punimeve të kongresit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›