E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI vendos kandidaturën përballë Fatos Nanos

22/04/2005  Lëvizja Socialiste për Integrim ka përcaktuar Flamur Hysin, si kandidaturën përballë Kryeministrit Fatos Nano në zonën elektorale numër 99, në Sarandë. Duket se përballë Kryeministrit, përfaqësuesit e LSI-së kanë preferuar të vendosin një kandidaturë, që është banor në këtë zonë. Sipas vetë Hysit, “Saranda nuk ka nevojë për deputetë të importuar dhe të dështuar njëkohësisht, për deputetë që abuzojnë me bukuritë e saj, por për deputetë të përgjegjshëm, që të mos kujtohen për Sarandën dhe sarandiotët vetëm sa për të kaluar fundjava luksoze, apo, për më keq akoma, vetëm kur kanë nevojë për vota, por për deputetë me vizion, për njerëz me integritet dhe të moralshëm që ta kthejnë Sarandën nga një perlë natyrore, në një perlë tërheqëse turistike”. Në këtë mënyrë, zona elektorale numër 99, pritet të shënojë debatet më të ashpra zgjedhore mes Kryeministrit Nano, kandidatit të Partisë Demokratike, Besnik Aliaj dhe rivalit të LSI-së, Flamur Hysi. Një kandidaturë tjetër, që pritet të plotësojë konfiguracionin politik të kësaj zone, është dhe përcaktimi i kandidatit të Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut. Kandidati i LSI-së, Hysi, ka mbaruar Fakultetin Ekonomik, dega Financë si dhe Fakultetin e Drejtësisë. Aktualisht është As. Ekspert Kontabël i Autorizuar, anëtar i Shoqatës së Kontabilistëve të Shqipërisë, gjithashtu është anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së. Fushata në Sarandë duket se do të jetë më e vështirë, duke parë faktin se LSI ka vendosur që në proporcional do të futet ai deputet, që do të marrë më shumë vota për partinë dhe si kandidaturë. Kjo formulë përjashton marrëveshjet mes kandidatëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›