E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata, burgim i përjetshëm për vrasësin e trefishtë

22/04/2005  Vrau gruan, vëllanë dhe djalin në mars të vitit të kaluar

TIRANË – Përfundimisht vrasësi i gruas, djalit dhe vëllait dënohet nga gjykata me burgim të përjetshëm. Gjykata e Krimeve të Rënda ka deklaruar fajtor dje të pandehurin për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese. Edhe pas marrjes së vendimit i pandehuri dukej i qetë. Nuk bëri asnjë koment. Por, me qetësinë më të madhe është shprehur se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, përveçse ka vrarë për shkak të tradhëtisë bashkëshortore. Vrasës i trefishtë. Fytyrë e imët. Trup të vogël dhe një shikim, që në të vërtetë të jep përshtypjen e një vrasësi gjakftohtë. Vepër e kryer me gjakftohtësi dhe pa u ndikuar nga ndonjë depresion nevor. Kështu e përkufizoi gjykata të pandehurin Pelivan Hyseni, i cili për shkak të xhelozisë së tepruar vrau gruan me katër thika në kraharor, djalin me tre thika dhe në fund vëllain me katër thika. Nuk u kënaq, por pas vrasjes së gruas i vë flakën me benzinë. Për këto vrasje makabre, edhe prokurori i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm, duke shtuar që vuajtja e këtij dënimi të bëhet në një nga burgjet e sigurisë së lartë. Asnjë familjar në sallën e gjyqit. Të vetmit që e mbështesnin ( jo si vrasës), ishin avokatët mbrojtës. Pelivan Hysenaj, me banim në Elbasan dhe origjinë nga Ballshi, Fier, ka kryer një krim tepër të rëndë. Tashmë ka mbetur pa familje. Djalin e tij 13 vjeç dhe bashkëshorten, e vrau me gjakftohtësi në 7 mars të vitit 2004.

Akuza

Pelivan Hysenaj ka ardhur për gjykim te krimet e rënda, me akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, parashikuar nga neni 79 gërma a dhe b. Për të pandehurin proçedimi penal është regjistruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në datë 29 prill 2004. Ndërsa ngjarja ndodhi në datë 7 mars 2004. Sipas gjykatës ditën e ngjarjes i pandehuri, që sapo kishte ardhur nga Greqia, merr bashkëshorten e tij Fatbardha dhe djalin Argys, duke i thënë se do të shkonin tek varri i nënës në Ballsh. Gjithçka e ka kryer me paramendim. I pandehuri dyshonte se gruaja e tij e tradhëtonte me vëllain Gëzim Kurjani. Kur mbërrijnë në Ballsh, shkojnë te varri. Pelivan Hysenaj i thotë gruas se kishte mësuar lidhjen e saj me vëllain, Gëzim Kurjani. Nuk debaton shumë, menjëherë e godet me thikë në gjoks. Më pas merr një shishe me benzinë, që kishte fshehur në shkurre dhe i vë flakën. Në këto momente, djali i vogël, Argysi ka kundërshtuar. Duke e marrë për dore është larguar disa metra larg nga gruaja e djegur. Nuk e duron më as djalin. E qëllon tre herë me thikë në gjoks. Vdekja ishte e menjëhershme. Gjykata tha se i pandehuri e ka marrë zvarr trupin e djalit, duke e kaluar nga ana tjetër e rrugës. Ka lënë kufomat e njerëzve të familjes në rrugë dhe ka shkuar të kërkoi vëllain e tij në shtëpi. Por, në këtë kohë ishte vëllai ai, që kishte parë një djalë të vogël të vrarë dhe lajmëron policinë. Në kohën kur policia afrohet, vëllai i kërkon të dorëzohet. Por, i pandehuri Pelivan Hysenaj, me thikën që mbante në dorë ka goditur katër herë vëllain në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend. Policia kur ka parë trupin e Gëzimit të binte në tokë, qëllon në ajër dhe i bënë thirrje për t'u dorëzuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›