E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sheva vuan nga pagjumësia

26/04/2005  Të luash në një klub të madh dhe të luftosh për titull edhe për Ligën e Kampioneve, me siguri që sjell shumë tension. Te Milani, një nga ata e ndjen më shumë këtë tension është Andrij Shevçenko, i cili ka zbuluar se i gjithë nervozizmi i tij vjen prej pagjumësisë. Pra, edhe kampionët e mëdhenj, që janë mësuar të bashkëjetojnë me stresin dhe presionin, duket se kanë probleme pagjumësie dhe prova është ukrainasi Shevçenko. Disa shenja stresi, fituesi i “Topit të Artë” i ka shfaqur edhe ndeshjet e fundit, kur ka rënë pre e nervozizmit si me kundërshtarët, ashtu edhe me shokët e skuadrës, gjë që nuk i kishte ndodhur kurrë më parë. Rasti i fundit ishte të shtunën e kaluar, kundër Parmës, kur në momentin e zëvendësimit nga Inzasgi, Sheva debatonte me Ançelotin. Në bazë të një nervozimi kaq të madh, përveç momentit të rëndësishëm që po kalon Milani, është pikërisht mungesa e gjumit. “Fle shumë pak. Jam nervoz pikërisht për këtë gjë, sepse kam ndryshuar pa dashje gjithë regjimin tim. Natën fle shumë pak, vetëm dy ose tre orë, ndërkohë që fle më shumë pasdite”, deklaron vetë Shevçenko. Ndërkaq, edhe drejtuesit e Milanit e kanë kuptuar momentin e vështirë të sulmuesit ukrainas dhe nuk e kanë ndëshkuar për polemikën e ditës së shtunë, me trajnerin Ançeloti. “E di që kam gabuar dhe u kërkoj përsëri falje të gjithëve”, u ka thënë Sheva shokëve të skuadrës të dielën, duke u premtuar se do të shlyejë gabimin duke shënuar kundër PSV-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›