Nishani: “Igli Toska po ushtron presion mbi zgjedhësit në Kombinat”

26/04/2005 Kandidati i PD-së që do të garojë në zgjedhjet e ardhshme për deputet në zonën e Kombinatit, Bujar Nishani, ka akuzuar dje ministrin e Rendit, Igli Toska, për arrestimin e Ilir Nezajt, vëllait të kryetarit të PD-së së nëndegës së Kombinatit. Sipas Nishanit, arrestimi i Nezajt ka ardhur, pasi ky i fundit ka ndaluar disa persona të shkruajnë në muret e dyqaneve dhe pallateve në këtë zonë parulla në favor të kandidatit të PS-së, Igli Toska. «Në mesnatë është arrestuar vëllai i kryetarit të PD-së për Kombinatin dhe kryetari i shtabit elektoral, kandidatit të PD-së për këtë zonë, me urdhër të drejtpërdrejtë të ministrit të Rendit dhe kandidatit të Fatos Nanos në Kombinat, Igli Toskës. Falangat e Igli Toskës, të kryesuara nga këshilltari socialist, Ylli Metohasani, kanë ndërmarrë një fushatë të dëmtimit të pronës publike dhe private gjatë mbrëmjes së kaluar në zonën e Kombinatit. Reagimit të qytetarëve të Kombinatit për të mos dëmtuar pronën, Igli Toska i është përgjigjur duke urdhëruar bastisjen e shtëpisë dhe arrestimin e të afërmve të drejtuesve të PD-së për këtë zonë» tha Nishani. Sipas tij, arrestimi i Nezajt është bërë nën akuzën për kërcënim personi, por Nishani akuzon se pas këtij veprimi synohet që nga ana e ministrit të Rendit të ushtrohet presion psikologjik mbi zgjedhësit e kësaj zone. Kandidati i PD-së ka ftuar ministrin e Rendit, Toska, të ballafaqohet në një debat publik për shpalosjen e platformave dhe të lihen mënjanë format e dhunës mbi votuesit. “I kërkoj Igli Toskës të ndërpresë menjëherë terrorin policor. Të ballafaqohet publikisht dhe mediatikisht me kandidatin e PD-së mbi bazë platformash, idesh, argumentesh, në mënyrë civile dhe politike. Paaftësinë e tij për t’u përballur në këtë sens nuk mund ta mbulojë terrori policor. I kërkoj drejtuesve të Policisë së Shtetit të mos bëhen vegla politike në duart e ministrit në ikje, Igli Toska. U kërkoj qytetarëve të Kombinatit të vazhdojnë denoncimin publik ndaj terrorit policor, ndaj dëmtimit të pronës publike dhe private nga falangat e Igli Toskës në Kombinat. Të shkojnë të qetë drejt zgjedhjeve për të ndryshuar dhe Kombinatin”, tha Nishani.