E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Arratisja e piktorit që s’qullosi gjë as në politikë

Pas deklaratës befasuese të z.Dritan Prifti, Këshillit bashkiak të Tiranës dhe trokitjeve në derë të kontrollorëve, janë përhapur zëra se piktori i tallashit të kazanëve, Edi i “Politikës së re, tej të majtës e tej të djathtës” me britmën e njohur “Çohu!”, po përgatit bagazhet të largohet, pa u vënë re, nga ndërtesa e Komitetit të Partisë, prapa Bankës Kombëtare të parave, gjithashtu nga trekatëshi monumental i Bashkisë, pasi kërkoi me lot të nxehtë në sy, rinumërimin në tërë qarqet e vendit.

Për ku po e merr vrapin Edi ynë? Për në Spanjë, ku e pret përmbytësi i Tiranës, me gonxhe e lule, apo të strehohet në Serbi, tek kantautori serb, të cilit i ka dhuruar çelësin e rëndë të portës së kryeqytetit tonë? Ç’rrugë do të ndjekë? E vetmja mundësi mbetet nata me hënë mbi detin me dallgë. Tmerr nga doganierët në aeroport! Llahtar në veri, përmes 29 urave e tunelit me dy gryka! Keq e mos më keq, në jug, me ndërtime hidrocentralesh e rrugësh! E pamundur në lindje, për në Moskë! Bën shumë ftohtë, shumë, shumë ftohtë!

Oh, sa keq! Shtëpia me çardak, me fiq, rrush e kumbulla në Pezë, vila e hijshme në muzg pishash në Dardhë, po mbeten shkretë. Vetëm Dashi e di sekretin. Ky rri mendueshëm në krye të shkallëve të shtëpisë së Babë Myslimit. Kur sheh Edin e parruar, të afrohet, ngrihet më këmbë dhe i thotë: “Kam mendue nji plan të hatashëm Edo, për me hik. Hudhim nji gomone në Erzen. Kur katundi asht tue fjet, hypim nalt të dy, me laç e plaçkë e dalim në det të hapët. Mbasi të shtyhemi tej e tej, na mëshiron ndonji anie e huej dhe na le në ndonji port të largët”. -A je në vehte! A s’i sheh Benz-at me xhama të zinj tek sillen rrotull e ndalen në Pezë, përballë shtëpisë? E kanë me mua.

Mesa shihet nuk qenka aq e lehtë për Edin të marrë bagazhet me euro e me dollarë dhe të çajë ferrën e t’ia mbathë nga sytë këmbët, në drejtim të panjohur, pa u vënë re nga sytë vigjilentë të kreditorëve të humbur, të cilët derdhën paratë lumë për votat. Ditë e natë në udhëkryqe, ata përgjojnë të shqetësuar se mos Edi humbës, u rrëshket nga duart. Telefonatat, “përr-përr-cërr-cërr”, nuk reshtin as natën. Në mikrofon dëgjohen zërat e tyre të ashpër me thirrjen “duam paratë!” Nuk mjaftojnë vetëm këta, por edhe Bashkia kërkon fondet e grabitura.

Diku dëgjohet një këngë përmetare: Mos o Edi në det me brengë,/ik më mirë breg më breg,/gur më gur e zall më zall,/shpat më shpat e mal më mal. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›