E Diel, 1 Nëntor 2026

Eliot Engëll: Me 28 qershor, Shqipëria realizoi zgjedhjet më të mira në histori

Kongresmeni amerikan Eliot Engel i ka vlerësuar zgjedhjet e 28 qershorit si “zgjedhjet më të lira dhe më demokratiket”. Ai i ka telefonuar kryeministrit Berisha, duke e përgëzuar për fitoren dhe duke shprehur bindjen se ai do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë faktorët e spektrit politik. Një apel i drejtohet edhe Partisë Socialiste që të marrë përsipër rolin që i takoi sovrani, atë të bashkëpunimit në opozitë, për të përshpejtuar anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian

Kongresmeni amerikan Eliot Engel deklaron se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Në një intervistë televizive, kongresmeni Engel thotë se palët, si fituesit PD-LSI, ashtu edhe Partia Socialiste, duhet të bashkëpunojnë për më të mirën e vendit. Sipas Kongresmenit amerikan, “me këto zgjedhje Shqipëria e tregoi se është plotësisht një vend demokratik dhe se e meriton të jetë anëtare e NATO-s dhe së shpejti anëtare e BE-së”.
Kongresmeni Engel tha se me standardet e këtij procesi, Shqipëria iu bashkua vendeve aleate të Perëndimit. “Këtë radhë, nga ajo që kam parë, nga vlerësimet e monitoruesve të Misionit të Vëzhguesve ndërkombëtarë, mund të them se këto zgjedhje ishin më të lirat dhe më të ndershmet në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Është shumë e rëndësishme që këtë e thonë ata, sepse nuk jam unë që e them këtë, por janë vëzhguesit ndërkombëtarë që janë neutralë dhe që e shikojnë procesin në këndvështrimin se si u mbajtën këto zgjedhje. Edhe fakti që këto ishin zgjedhjet e para që bën Shqipëria pas anëtarësimit në NATO u dhanë atyre një rëndësi më të madhe. Unë dua të përgëzoj popullin shqiptar që zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme, për pjesëmarrjen e madhe në votime dhe jam i kënaqur që Shqipëria iu bashkua vendeve të Perëndimit, SHBA-së, vendeve të NATO-s dhe një ditë shpresoj se në të ardhmen e afërt Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, u shpreh më tej Kongresmeni amerikan.
Eliot Engel komenton edhe qëndrimet e partive politike pas procesit të votimit. Ai u bëri thirrje fituesve, Partisë Demokratike dhe aleatit të saj të ri qeverisës LSI-së, por edhe Partisë Socialiste gjithashtu, që të bashkëpunojnë në të mirë të vendit.
“Zgjedhjet janë të vështira dhe gjatë fushatës gjërat janë të vështira, fjalët që thuhen, gjërat që thuhen. Këto gjëra ndodhin edhe në SHBA. Ne të gjithë i kujtojmë zgjedhjet Presidenciale të vitit 2000 mes Xhorxh W. Bush dhe Al Gore. Kishte shumë prej nesh që ishin të zhgënjyer nga këto zgjedhje në atë kohë, por pasi u vendos se kush ishte fituesi, ne të gjithë i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u bashkuam në luftën e SHBA-së kundër terrorizmit pas 11 shtatorit. Ne zhvillojmë luftë politike në Uashington, por ne e kuptojmë se janë shumë gjëra që duhet t`i bëjmë së bashku. E vetmja këshillë që do të dëshiroja t’i jepja Shqipërisë, për të cilën nuk besoj se ka nevojë, sepse ata janë të vetëdijshëm për këtë tani, do të thosha se është e njëjta gjë; tani partitë duhet të punojnë së bashku për të mirën e Shqipërisë. Të dy partitë duan ta shohin Shqipërinë më mirë, të dyja partitë kujdesen për të ardhmen e vendit dhe dua të them që të dy partitë dhe dua ta them këtë edhe për drejtuesit e koalicionit të ri, Sali Berisha e Ilir Meta, edhe për Edi Ramën gjithashtu. Ata duhet të punojnë së bashku, sepse Shqipëria ka nevojë për punën e tyre. Është e rëndësishme të thuash që një vend është i bashkuar. Unë i telefonova kryeministrit Berisha dhe e përgëzova për fitoren sepse ishte vërtet një garë shumë e ngushtë, por fitorja është fitore dhe kam bindjen që ai do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë spektrin politik. I uroj koalicionit të ri më të mirën dhe shpresoj që fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve dhe të gjithë të tjerët do të bashkëpunojnë për të ardhmen e më të mirë të Shqipërisë”, vijoi më tej Kongresmeni Engel. Ai shprehu besimin se e ardhmja e afërt e Shqipërisë është në familjen e madhe evropiane.
“Një ditë, shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së. Është shumë e e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që këto zgjedhje janë domethënëse më shumë se sa interesat e ngushta. Zgjedhjet dëshmuan se Shqipëria është një vend plotësisht demokratik dhe një vend që e meriton plotësisht të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së”, nënvizoi më tej ligjvënësi amerikan.
Në këtë intervistë Engel përmendi edhe vizitën e tij të fundit në Shqipëri, duke vënë theksin tek ndryshimet e mëdha dhe transformimi i shpejtë i vendit, tek ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës të cilën ai e vizitoi në muajin Maj.
Ai vlerëson dhe atë që Shqipëria nuk e ka ndryshuar asnjëherë traditën e mikpritjes, dhe premton se do të mbetet gjithmonë mik i shqiptarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›