E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misionari hijerëndë po del rosak pa pendë

Bota ka njohur misionarë të mëdhenj, drita e të cilëve nuk shuhet kurrë! Ata nuk vdesin! Por ka dhe misinarë të rremë, që mashtrojnë duke bërë dritë si flakë kashte. Në qiellin e politikës shfaqen shpesh të tillë. Nuk ka mashtrues më të mëdhenj se ata që mohojnë egoizmin e arsyesëm dhe vetëshpallen me qëllim shërbestarë. Popujt e shtypur mallëngjehen nga idealistët, që heqin dorë nga interesat personale. Nuk është e lehtë të jesh misionar i vërtetë. Kurse mëkatarët e rremë fshihen pas atributesh të tilla. Tërë kohën komunistët pretenduan se ishin misionarë. Dhe ashtu qenë: misionarë të së keqes. Xhahilë që përhapën një doktrinë shkatërruese. Që mbollën filozofinë e urrejtjes dhe vranë shërbestarët e vërtetë. Misioni i stalinistëve qe marrja e pushtetit me dhunë. Hipokrizia nuk ka njohur lulëzim më të madh se në epokën e “hurit e të litarit”. Nën “veladonin” e altruizmit lulëzoi egoizmi më i frikshëm. Atë po praktikojnë shumë drejtues socialistë, dishepujt të ideatorëve të “dajakut”. Edi Rama u shfaq si një kometë, që do të shuante  konfliktet sociale. Që do të pajtonte dhe xhelatin me viktimën. Që do t’u fitonte zemrat edhe pronarëve të ligjshëm, edhe pse të drejtën e tyre as që e kishte në axhendë. Ky ideator i mashtrimit dhe shpikës i “Politikës së re”, ky antikonfliktual hakmarrës dhe mëndjemadh populist, zhvilloi fushatë zgjedhore pa ndihmën e askujt. Vetëm duke ulëritur se sa i dhembshur ishte. Vetëm duke kërkuar si me qirí fukarenj. Dhe populli e dëgjoi deri në fund këtë misionar të ri, me ide të vjetra. E dëgjoi me durim karrieristin “proletar” dhe humanistin shpirtkazëm, që, për pushtet personal, shumëzoi me zero gjithë të majtën. Si delirant, besoi se do të bënte epokë. Si anarkist, nuk njohu veç pushtetin e vet. Liría për të qe mëshirë despotësh. Ky gjigand, që predikoi politizimin e skajshëm të masave, që mbushi qiell e tokë me klithmat për votim të lirë e për zbatim të parimit “një anëtar, një votë!”, na doli një liliput, që mendonte vetëm për vete. Madje, i cekët! Aq i cekët sa besoi që shqiptarët mund ta çmonin nga shpifjet për kundërshtarin. Dhe, ndërsa njerëzit prisnin premtime për rritje të nivelit të jetesës, treg të lirë, rroga e pensione të shtuara, ndërsa hallexhinjtë hapnin veshët të dëgjonin premtime për punë, për rrugë, për kanale, për ujësjellësa, për dritë e sheshe lojrash për fëmijë, kurse pronarët e ligjshëm shpresonin të dëgjonin qoftë edhe një tingull për kthimin e pronës së tyre dhe viktimat e komunizmit një përdëllim për kalvarin, të gjithëve iu shurdhuan veshët nga klithmat alla komuniste për bashkim “pa dallim feje, krahine dhe ideje!”. Dhe gdhinë, të gjorët, netët pa gjumë duke medituar se ku e kishte hallin ky sharlatan me parrullën “Përtej së majtës e së djathtës. Të gjithë shihnin njëri-tjetrin në sy, duke u shtirur sikur diçka kuptonin, por u ndienë të fyer, kur dëgjuan nga “misionari” t’i tallte se synonte t’i bënte të gjithë politikanë. Megjithatë, ky misionar batakçi se ç’mori një hije të rëndë, kur mohoi gjithë tranzicionin e tejzgjatur dhe i dha vetes pamjen e një diktatori zemërmirë, që derdhte lot krokodili për fukaranë, siç bënte Enver Hoxha, kur nuk i realizoheshin ambiciet dhe kur shihte fëmijë të qeshur, që do të jetonin edhe pas vdekjes së tij. Edi Rama, pra, ky gjysëm intelektual, që i thuri idolatri meskinitetit komunist; ky udhëheqës i krimbur në pará të dyshimta, që u shtir si eremít, filloi të dyshohej nga populli si një mashtrues i madh, si ndjekës i “idealistëve” kriminelë komunistë, që të vrisnin natën e të qanin ditën. Megjithatë, misionari hijerëndë, Edvin Rama, e la një emër, që askush nuk dëshiron ta përmendë. Sepse, askush nuk dëshiron të evokojë atë kohë, kur detyrohej të duartrokiste ata, që i merrnin çdo ditë jetën. E la një emër Edvini, sepse tentoi të zbatonte në kushtet e demokracisë diktaturën personale, lënë trashëgim prej Enver skizofrenit.  Sepse, ashtu si “qoftëlargu” që, duke dyshuar edhe te vetja, vrau madjé, njerëzit e vet, “shtyllat” e revolucionit, “misionari” i ri i flaku aleatët e vet si të ishin rrecka të papërdorshme. Dhe i mallkoi të majtët, që kishin goxha elektorat nga frika se i bënin hije madhështisë së tij të rreme. Ishte ky dallkauk që u krekos për standartin e zgjedhjeve, që ngriti flamurin e fitimtarit, edhe kur e djathta po përparonte me qetësí. Ky “Zeus” akuzoi dhe komisionerët e vet të palodhur. Ky “misionar” pa asnjë ndjenjë mirënjohjeje shpalli tradhëtar cilindo që guxoi të vetëflijohej për interesa madhore kombëtare. I tërbuar nga dyshimi për humbjen, ky “liberal” nisi dhe nga këcënimet duke ndërsyer si “zagarë” gjithë kuadrot, që kishin më tepër se ai merita në partí. Ky engjëll roje hipokrit akuzoi këdo, që nuk diti t’ia justifikonte humbjen fatale. Të gjithë u shtangën nga paturpësia e këtij “shenjti”, i cili vetëm për ç’kish deklaruar, duhej të pranonte me qetësí të plotë humbjen. Dhe, ndoshta, do të kishte lënë përshtypjen e një utopisti naiv, sikur ta kishte pritur me qetësí rezultatin e zgjedhjeve; të kishte parathënë me solemnitet një dorëheqje të mundshme dinjitoze. Por sjellja e tij prej ambiciozi, përçarja inatçore që i bëri së majtës, mburrja për gabimet e veta fatale, fshehja e përgjegjësive prapa kërcënimeve rrugaçërore dhe mohimi i devotshmërisë prekëse të komisionerëve të tij, e bënë edhe elektoratin e majtë të mbushej me frymë, kur mësoi humbjen e vet. Dhe kjo nuk qe një paradoks. Dihet se kur ndodh që të pranohet më mirë humbja shpëtimtare, se një fitore që sjell prapësira, sa i rëndë është faji i mëkatarit! Popujt e vuajtur falin privacionet, por nuk durojnë nëpërkëmbjen. Shqiptarët e dënojnë me përçmim flijimin e tyre tallës, që u bëri komunizmi. Ata nuk pranojnë më “misionarë” hipokritë! Rama do të mund të shpëtojë diçka nga figura e tij vetëm duke kryer një dorëheqje dinjitoze! Ndryshe, ky “misionar” hijerëndë do të mbetet si një rosak pa pendë. Se nuk ka dënim më të rëndë sesa përbuzja e atyre, që të kanë besuar sinqerisht!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›