E Diel, 1 Nëntor 2026

ECA dhe KRIIK: Rezultati i 28 qershorit do të jepet direkt

Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve, ECA, si dhe organizata KRIIK e financuar nga USAID do të mundësojnë shpalljen online të rezultatit zgjedhor më 28 qershor. Drejtori ekzekutiv i ECA, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, tha se rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit do të dalin në kohë direkte përmes projektit "Rezultatet direkte të zgjedhjeve".
Celibashi konstatoi se ky projekt ka si qëllim përcjelljen në kohë reale të informacioneve të numërimit të votave dhe rritjen e transparencës në procesin e numërimit. Në vlerësimin e tij ky projekt nuk mbivendos Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe asnjë institucion tjetër përgjegjës për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve. Bëhet e ditur se për realizimin e këtij projekti janë rekrutuar 450 vëzhgues, të cilët do të vendosen në 66 qendra të numërimit të votave më 28 qershor. Rezultatet që mblidhen në çdo qendër votimi do të bëhen publike në kohë reale, përmes shfrytëzimit të një teknologjie të veçantë, e cila mundëson hedhjen e informacioneve në një qendër kryesore të përpunimit të informacionit. Çdokush do të mund të informohet në kohë reale për rezultatin e zgjedhjeve përmes konferencave të posaçme për shtyp dhe duke përdorur faqen e internetit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në vendin tonë, publiku do të njihet me rezultatin e zgjedhjeve në mënyrë direkt duke e ndjekur hap pas hapi. ECA, ka një eksperiencë të dhënies së rezultateve online edhe në zgjedhjet vendore të 2007, ndërsa e njëjta procedurë do të ndiqet edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përmes instalimit të kamerave në çdo qendër të numërimit të votave dhe instalimit të një sistemi qendror të ndjekjes direkt të numërimit në KQZ, do të ndihmojë jo vetëm për transparencën e këtij procesi, por edhe për shpalljen e rezultatit zgjedhor që zyrtarisht i takon këtij institucioni. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2005, veç problemeve që u hasën ditën e zgjedhjeve, procesi i numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit ishte i tejzgjatur çka u reflektua edhe në raportet e ndërkombëtarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›