Gjinushi: Duam një qeveri për shqiptarët, jo për qeveritarët
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka vijuar turin e tij elektoral në qytetin e Kuçovës. Për Gjinushin, fitues i sigurt më 28 qershor është koalicioni "Bashkimi për ndryshim", një fitore kjo që do të çojë vendin drejt zhvillimit të duhur dhe integrimit me dinjitet. Gjatë fjalës së tij para banorëve të këtij qyteti, Gjinushi ka theksuar se "Shqipëria është në gjendje të dalë nga kjo krizë, por duhet vetëm një gjë, të largohet kjo qeveri dhe ky Kryeministër që është shkaktar i krizës, çka do të thotë që me një qeverisje normale, me një qeverisje socialdemokrate, së bashku me socialistët dhe aleatët e tjerë, vendi të shkojë drejt integrimit evropian". Ne, tha Gjinushi, duhet të luftojmë për një Shqipëri për shqiptarët dhe jo një qeveri për qeveritarët. Më tej, ai ka theksuar se "Shqipëria ka fondet e duhura, në qoftë se ka mend dhe vizion, për të bërë reformat reale në arsim, që arsimi të ketë të njëjtën cilësi si në Kuçovë dhe në Tiranë, si në fshat dhe në qytet". Arsimi, si një ndër prioritetet e Partisë Socialdemokrate, ka shumë rëndësi, u shpreh Gjinushi, sepse rinia e këtyre zonave duhet të jetë e përgatitur dhe e shkolluar që të përballojë punësimin qoftë drejt qyteteve të mëdha, qoftë drejt Evropës. Me një qeverisje të majtë, tha Gjinushi, vizat hiqen që në 2010, sepse kjo qeveri po të kishte qenë normale do të ishin hequr vizat, prandaj vijoi Gjinushi, hiqini vizë Sali Berishës që të hapet rruga drejt Evropës. Ai u ka kërkuar banorëve të Kuçovës, por dhe të gjithë Shqipërisë që me 28 qershor të votojnë alternativën e koalicionit të majtë "Bashkimi për Ndryshim" si alternativa më e mirë që u ofrohet.