E Diel, 1 Nëntor 2026

“ECA” dhe “KRIK” nisin numërimin on-line dy orë pas mbylljes së votimit



Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA) dhe “KRIK Albania” kanë nisur numërimin e votave në mënyrë direkte dy orë pas mbylljes së kutive të votimit. Pas orës 21 të mbrëmjes së djeshme, nëpërmjet një kompjuteri qendror të vendosur në Hotel Tirana International, të përdorshëm dhe publik për gjithkënd, “ECA” dhe “KRIK” kanë përcjellë në kohë reale informacionin mbi çdo votë. Megjithëse numërimi i votave nga “ECA” dhe “KRIK” është bërë paralelisht me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KAZ), ky proces nuk ka si qëllim dhe nuk mund të zëvendësojë procesin ligjor të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, detyrë e cila i mbetet KQZ-së. “ECA” dhe “KRIK” janë angazhuar së bashku për informimin e publikut mbi ecurinë e procesit të numërimit të votave dhe rezultatit të zgjedhjeve në kohë reale. Këto dy organizma joqeveritarë synojnë të verifikojnë standardin e këtij procesi zgjedhor dhe veçanërisht atë që ka të bëjë me numërimin dhe nxjerrjen e rezultatit. Projekti mbështetet financiarisht nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), por që, siç bëri të ditur ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Withers, kjo nuk do të thotë se ky projekt është i SHBA-ve. Sipas drejtuesve të ECA-s, projekti ka si qëllim rritjen e transparencës së numërimit të votave, informimin e vazhdueshëm të publikut dhe krijimin e një besimi më të madh të qytetarëve te ky proces. Për realizimin e këtij projekti, “ECA” dhe “KRIK” kanë akredituar dhe angazhuar ditën e zgjedhjeve 450 vëzhgues pranë grupeve të numërimit në të gjithë vendin, të cilët, nëpërmjet aparateve telefonike të posaçme kanë dërguar informacionin për çdo votë, në një kompjuter qendror.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›