Rama: Sondazhet janë mashtrim
Aristir Lumezi
Selia rozë ka pasur dje shfaqje të ndryshme në momente të ndryshme. Pas mbylljes së procesit të votimit, kanë qenë të shumtë simpatizantët dhe anëtarët e PS-së që kanë mbërritur në oborrin e selisë rozë, ku si zakonisht në kohë votimi, ata kërkojnë të marrin vesh se cila është klima pas votimit dhe më pas rezultati i tij. Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje, pjesë jo pa rëndësi e tyre ishin dhe sondazhet exit poll të disa kompanive. Simpatizantët socialistë kanë përjetuar momente dëshpërimi, kur shihnin në ekranin e madh me projektim në oborrin e PS-së, exit polli nxirrte PS humbëse në shumicën e qarqeve, ndërsa kishte duartrokitje dhe brohoritje kur PS dilte fitimtare në qarqe të tjera. Më pas ka qenë një deklaratë qetësuese e kryetarit socialist, i cili i ka kërkuar simpatizantëve dhe votuesve të PS-së të mos besojnë sondazhet, pasi rezultati real i zgjedhjeve sipas tij është një përmbysje e atyre numrave që dalin nga exit pollet. “Ky është një moment kur populli shqiptar kërkon të lexojë qetësisht vendimin që ka marrë sot në kutitë e fshehta të votimit. Ne duhet ta kalojmë provimin e madh dhe ky provim nuk duhet të cenohet në cilësinë e vet, për shkak të këtyre shfaqjeve që janë shfaqje të demokracisë, por që siç edhe thamë, janë eksperimenti i gabuar, në kohën dhe vendin e gabuar. Shqipëria sot nuk është vendi për të bërë exit poll. Sot koha nuk është për exit poll. Ky eksperiment është i përjashtuar. Por nuk ka rëndësi, kjo është demokracia, kjo është liria e të gjithëve”, u shpreh Rama. Ndërkohë, në orët e para të ditës së sotme, kryetari i Asamblesë Kombëtare Socialiste, Gramoz Ruçi adresoi akuza të rënda ndaj kompanive të sondazheve. Sipas tij, të gjitha sondazhet kanë qenë të porositura dhe klienteliste. “Një mik më telefonoi nga Amerika dhe më tha se kjo kompani ka marrë 6 milionë dollarë nga qeveria. Kjo është e turpshme për një vend anëtar të NATO-s”, u shpreh Ruçi në përgjigje të sondazheve. Deklarata për shtyp e Ramës ka qetësuar simpatizantët, të cilët kanë nisur të mos i marrin seriozisht sondazhet, madje kanë nisur të marrin valle nën ritmin e muzikës me tone të larta në oborrin e selisë rozë deri në orët e para të mëngjesit të sotëm në pritje të një rezultati. Kreu socialist në një nga deklaratat e tij për shtyp pas mbylljes së votimit, ka vlerësuar standardet e tij. “Procesi zgjedhor, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se është një proces që është tërësisht i ngjashëm me proceset zgjedhore me Evropën, por duhet që të shohim përpara për të pasur një pjesë të dytë procesi, të paktën sa e para. Dhe në qoftë se kjo do të kompletohet kështu, ne mund të themi që kemi bërë një hap përpara”, u shpreh Rama.