Meta: Berisha të qëndrojë larg numërimit të votave
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të mos përpiqet të dëmtojë procesin e numërimit të votave, ndërsa i ka kërkuar PS të ruajë votat në këtë proces të rëndësishëm. “Zgjedhjet deri në mbyllje të procesit të votimit kanë shkuar mirë, por nëse preket një votë do të sjell para Berishës mijëra qytetarë”, është shprehur Meta nga selia e LSI. Sipas tij, kjo thirrje bëhet pasi “Gani Bobi” është një kompani e shitur, që ka përgatitur një rezultat të sajuar. Ndaj i bëj thirrje PS të marrë masa dhe të mbrojë edhe një votë të vetme”. “Berisha po përpiqet të ndikojë në rezultatin e votuesve, në mënyrë që ai të vjedhë një maxhorancë të pamerituar. Ne kemi informuar faktorët ndërkombëtarë, për të gjitha rastet”, theksoi Meta gjatë konferencës për shtyp. Kreu i LSI-së vlerësoi dje ecurinë e procesit të votimit, i cili përgjithësisht sipas tij ka ecur normalisht. Sipas informacioneve që ne kemi, parregullsitë e deritanishme nuk përbëjnë një pengesë thelbësore të zhvillimit normal të procesit zgjedhor. “Njëkohësisht dua të vlerësoj se angazhimi dhe funksionimi i Network-ut të LSI në të gjithë vendin, në mbrojtje të votës së lirë regjistron çdo parregullsi, po kështu mund t’ju them se këto parregullsi nuk e cenojnë aspak funksionimin e vazhdueshëm në mënyrë normale dhe optimiste të procesit zgjedhor.