E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: “Subjektet politike të respektojnë ligjin dhe standardet ndërkombëtare”



“Moti është pak problematik, por sot duhet të jetë një ditë e bukur për demokracinë shqiptare”. Kështu u shpreh dje ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John L. Withers, pas një takimi informal me presidentin e vendit Bamir Topi dhe shefin e zyrës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Më tej ambasadori Withers deklaroi se "shumë e rëndësishme për të gjitha partitë dhe subjektet pjesëmarrëse në këto zgjedhje është që të respektohet ligji dhe procedurat për të cilat është rënë dakord më parë, si dhe të zbatohen standardet ndërkombëtare". Sipas ambasadorit Withers, çdo shqiptar duhet të ushtrojë të drejtën e tij të votës, pasi nuk duhet të mendojë vetëm për veten, por edhe për të ardhmen e brezit të ri. "Çdo njeri që ka të drejtën e votës duhet të ushtrojë këtë të drejtë demokratike dhe të dalë të votojë sot. Njerëzit nuk duhet të ndihen të shqetësuar apo të kenë frikë për të votuar. Qytetarët nuk duhet t'i nënshtrohen asnjë presioni nga çfarëdolloj grupi, por duhet të votojnë në mënyrë individuale, duke iu bindur ndërgjegjes së tyre. Nuk duhet të votojnë kolektivisht e familjarisht po ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të fshehtë dhe individuale. Qytetarët duhet të votojnë me qetësi dhe të tregohen shumë të duruar për të pritur rezultatet e zgjedhjeve. Numërimi zyrtar i votave mund të kërkojë kohë, prandaj qytetarët shqiptarë të mos hamendësojnë, por të presin deri në daljen e rezultatit përfundimtar për këto zgjedhje", - tha ambasadori Withers. Lidhur me problemet që janë ndeshur në disa qendra votimi me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ambasadori Withers u shpreh se "ajo që është më e rëndësishme për këtë vend është që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe transparente. Parimi themelor kryesor është se nuk duhet të vlerësohen aspiratat e partive, por vullneti i qytetarëve. Të gjitha partitë duhet të arrijnë standardet dhe të zbatojnë ligjin. Besoj fuqimisht se rëndësia e këtyre zgjedhjeve është se ato do të jenë të lira dhe transparente dhe të bazuara në dëshirën e njerëzve dhe jo në aspiratat e partive politike”, - u shpreh ambasadori Withers.

Bosh: “Situata zgjedhore në Shqipëri është relativisht e qetë”

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, deklaroi dje paradite se "nga raportimet e deritanishme situata zgjedhore në Shqipëri është relativisht e qetë kudo". Më tej, në deklaratën e tij, ambasadori Bosh shprehu besimin se situata do të vazhdojë e qetë. Duke e konsideruar këtë një ditë shumë të rëndësishme për demokracinë shqiptare, Bosh u bëri thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që ende nuk kishin votuar që të dilnin të votonin, si dhe atyre që kishin aplikuar për një kartë identiteti dhe nuk e kishin marrë akoma atë, të shkonin dhe ta merrnin pasi zyrat ishin hapur deri në orën 19:00 të ditës së diel. “Ne shpresojmë dhe besojmë që gjërat të vazhdojnë kështu në mënyrë që të gjithë tashmë të kenë guximin dhe vendosmërinë për të dalë për të votuar. Unë u kërkoj njerëzve që nuk kanë votuar, të dalin dhe të votojnë, ndërsa njerëzve që kanë aplikuar për karta do t’iu kujtoja se mund t’i tërheqin kartat deri në 19:00 të mbrëmjes. Sipas informacioneve që ne kemi, të gjithë ata që kanë aplikuar i kanë kartat gati”, - deklaroi Bosh. Këto deklarime ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i bëri dje gjatë një takimi informal me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe ambasadorin e SHBA-ve, John L. Withers, në një prej lokaleve në qendër të kryeqytetit, ku diskutuan për situatën zgjedhore në vend.

ODIHR: “Zgjedhjet e të dielës me rëndësi për Shqipërinë”

Drejtori i ODIHR-it, Janez Lenarcic, gjatë inspektimit dje në mesditë të qendrën e votimit në shkollën "Hasan Prishtina" në kryeqytet, vuri theksin në rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare për të ardhmen e Shqipërisë. Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat, Lenarcic ka theksuar se ODIHR-i nuk mund të japë asnjë vlerësim paraprak brenda ditës për arsye se gjithçka do të bazohet në informacionet e 400 vëzhguesve të shpërndarë në të gjithë vendin. “Unë nuk mund të komentoj çfarëdolloj gjëje në lidhje me atë që ndodh në ditën e sotme, por ne si institucion do të lejojmë që të përfundojë dita e sotme dhe nesër do të dalim me një raport paraprak”,- tha përfaqësuesi i ODIHR-it. I pyetur për incidentet e djeshme me komisionerët e Partisë Socialiste, Lenarcic deklaroi se “do të behën të gjitha verifikimet e informacioneve dhe do të pritet përmbledhja e të gjitha zhvillimeve që më pas të procedohet me një deklaratë zyrtare nga ana e ODIHR-it”. Sipas tij, "ajo çka është e rëndësishme është një pamje e përgjithshme dhe jo nga një apo dy vëzhgues".
Sot në orën 14:00 do të publikohet vlerësimi paraprak, i cili do të bazohet në informacionet e 400 vëzhguesve, ndërsa sipas ODIHR-it, raporti përfundimtar do të dalë në ditët në vazhdim. Vëzhguesit ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje drejtuesve të vendit që të jenë të kujdesshëm në administrimin e këtij procesi zgjedhor.

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›