Topi, Berisha, Rama, Meta e Nano, ku votuan në Tiranë
Krerët e politikës shqiptare kanë hedhur votën e tyre në orët e para pas nisjes së votimit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka votuar në shkollën “Servete Maçi” në kryeqytet në orën 11:15, i shoqëruar nga bashkëshortja Teuta Topi dhe dy vajzat e tij. “Eshtë momenti më domethënës dhe duhet thënë se janë zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, që do t’i hapin vendit rrugën për në BE. I bëj apel politikës ta kalojë këtë ditë me mesazhet e duhura. Duhet të tregojmë se jemi një vend që kemi arritur në një stad të rëndësishëm të demokracisë dhe rruga drejt BE-së duhet të jetë e hapur”, deklaroi Topi pas votimit. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha votoi dje rreth orës 09:50 minuta në qendrën e votimit në mjediset e Liceut Artistik “Jordan Misja”, që përfshihet në njësinë bashkiake nr. 2 të Tiranës. “Sot qytetarët vendosin fatin e tyre” tha Berisha. Pasi ka dalë nga qendra e votimit, që ndodhej në shkollën “Pjetër Budi”, ku kreu socialist ka votuar bashkë me të birin Gregorin, nënën e tij dhe vëllain e ardhur për këtë qëllim nga Kanadaja me bashkëshorten, Rama dha një mesazh për të gjithë qytetarët dhe politikën. “Kjo është një ditë e bukur për familjen shqiptare, ashtu si familja ime sot është bashkuar. Me ta është bashkuar një masë e madhe emigrantësh që janë këtu për të marrë një vendim historik brenda normalitetit dhe qetësisë që meriton. Normalitet dhe qetësi që duhet të jepet nga të gjitha forcat e rendit dhe nga të gjitha forcat tona qytetarë që kemi angazhuar për të nxjerrë vendimin e pacenuar të popullit”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha se “u bëj thirrje të gjithëve të hedhin votën qetësisht dhe paqësisht sepse sot e gjithë bota po na vëzhgon dhe ndërkombëtarët sot meritojnë nga ne një shprehje të maturisë dhe vullnetit tonë, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ku zgjedhjet e lira janë parakushti i gjithçkaje tjetër”. Ndërsa kreu i LSI-së ka qenë i pari nga politikanët që hodhi votën rreth orës 9:10 në qendrën e votimit numër 1882 në njësinë bashkiake nr.7 në Laprakë. Meta nuk ka nguruar të thotë se nuk e pati të vështirë të gjente numrin 24 në fletën e votimit. “E pata shumë të lehtë ta gjeja numrin. Le të kontribuojmë të gjithë për mbarësinë e kësaj ditë”, u shpreh Meta pasi doli nga qendra e votimit. Ish kryetari socialist, Fatos Nano, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Xhoana, votoi në qendrën e votimit pranë banesës së tij. Nano e vlerësoi procesin e votimit të qetë. “Këto zgjedhje duhet të tregojnë standardet e munguara deri sot. Zgjedhjet marrin rëndësi të veçantë, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s”, tha Nano. Ndërsa Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, votoi në qendrën 306 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Shkodër. Pasi votoi, Topalli u bëri thirrje të votojnë ndërsa theksoi rëndësinë e një procesi normal dhe pa incidente.