E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit vendorë: Zgjedhjet, më të mira se ato të viteve të kaluara



Jonida Tashi

Vëzhguesit e pavarur vendorë i kanë cilësuar më të mira zgjedhjet e djeshme parlamentare krahasuar me dy raundet e fundit të vitit 2005 dhe 2007. Megjithëse atmosfera e ditës së zgjedhjeve ka “notuar” midis rrëmujës së herëpashershme dhe problemeve teknike, 4 mijë vëzhguesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë 2009 e kanë vlerësuar atë si përgjithësisht të qetë, me më pak incidente se zgjedhjet e viteve të kaluara. Sipas vëzhguesve vendorë, gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur incidente që mund të afektonin procesin në tërësinë e tij. “Procesi i hapjes ka qenë konform kuadrit ligjor, me përjashtim të rasteve sporadike të shkaktuara nga mungesa e bazës materiale, komisionerëve, problemeve të ngatërrimit të vulave. Hapja e procesit të votimit në të gjithë vendin, sipas informacionit të koalicionit, është kryer më mirë se çdo proces tjetër të vëzhguar nga ky koalicion”, - thuhet në deklaratën e fundit të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë. Ndërsa përsa i përket pjesëmarrjes në votime, vëzhguesit e pavarur kanë deklaruar se ajo ka qenë e mirë, pasi sipas raportimeve të tyre, në rang vendi dje kanë votuar 50-55 për qind zgjedhës.
Procesi
Në deklaratat e Komisionit të Vëzhguesve Vendorë për procesin e zgjedhjeve në vend vihet re se kritikat e tyre jo vetëm kanë qenë të vazhdueshme, por edhe graduale. Kështu, sipas raportimeve të vëzhguesve të pavarur vendorë,
procesi i votimit nisi me probleme në disa qarqe të vendit. Mungesa e bazës materiale apo e komisionerëve kanë qenë shkaqet kryesore që kanë vonuar nisjen e procesit të votimit. Vëzhguesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë 2009 kanë evidentuar gjatë gjithë ditës së djeshme problemet që janë hasur gjatë gjithë procesit. Duke qenë se Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka qenë një monitorues i pavarur i zgjedhjeve, përfaqësuesit e tij nuk kanë ngurruar të evidentojnë problemet e krijuara nga të gjitha forcat politike në zgjedhje. Ndryshe nga qëndrimi i institucioneve shtetërore apo vetë partive politike, vëzhguesit vendorë nuk kanë fshehur asnjë incident që u ka hasur syri gjatë monitorimeve pranë qendrave të votimit. Ndërsa përsa i përket informimit të publikut lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor hap pas hapi, vëzhguesit i kanë paraqitur të dhënat në katër deklarata të veçanta për shtyp.
Deklaratat
Deklarata e parë është bërë në orën 9:00 të mëngjesit të djeshëm. Në raportimin e parë vëzhguesit vendorë kanë paraqitur përqindjen e qendrave të hapura deri në orën 8:30 në shkallë qarku dhe vendi. Në përgjithësi qendrat janë hapur brenda orës 07:30 të mëngjesit. Sipas vëzhguesve, vonesat më të mëdha në nisjen e votimit në disa qendra kanë qenë kryesisht si pasojë e mungesës së bazës materiale (25) dhe vonesa të komisionerëve (8). Incidenti më i hasur në orët e para të procesit zgjedhor ka qenë ai i vonesave në dorëzimin e bazës materiale zgjedhore, si dhe mosparaqitja e komisionerëve, i cili është hasur më së shumti në Tiranë dhe Vlorë. Një fakt interesant që nuk i ka shpëtuar dot syrit të vëzhguesve vendorë me gjithë kaosin dhe dyndjen e njerëzve për të votuar, kanë qenë materialet propagandistike të partive politike në afërsi të qendrave të votimit (QV), të cilat nuk janë hequr, sikundër parashikon kodi zgjedhor. Konfuzioni në listat e votuesve, ku kanë figuruar të regjistruar edhe njerëz që kanë vdekur në vitin 1847, ka qenë një tjetër problem që paraqitur nga vëzhguesit e pavarur. Po sipas këtyre të fundit, në procesin e djeshëm zgjedhor ka pasur edhe raste kur kandidatët për deputetë, në kundërshtim me ligjin, janë futur në qendrat e votimit dhe kanë ndërhyrë në punën e Komisionit.
Pjesëmarrja
Në deklaratën e dytë, të tretë dhe të katërt vëzhguesit janë fokusuar në pjesëmarrjen e qytetarëve në votime. Sipas shifrave të raportuara nga vëzhguesit vendorë në deklaratën e orës 13:00, pjesëmarrja në votime deri në këtë orë ka qenë në masën 25.7 për qind në shkallë vendi. Po ashtu, në këtë deklaratë vëzhguesit kanë pohuar se ka një numër raportimesh mbi incidente në lidhje me votimin në grup dhe disa të tjera ku pretendohet se vëzhgues të PS-së kanë filmuar votimin. Në disa raste kjo ka shkaktuar pezullimin e votimit. Vëzhguesit raportojnë se në disa qendra votimi qytetarët nuk kanë gjetur emrin, ose ka pasur apo alokim të emrit në një qendër tjetër. Mungesa e bojës dhe cilësia e saj ka qenë një tjetër shqetësim i raportuar nga vëzhguesit vendorë ditën e djeshme. Sipas tyre, mungesa e bojës është hasur në disa qarqe të vendit, sidomos në atë të Shkodrës. Vëzhguesit kanë theksuar gjithashtu se në disa zona boja e votimit hiqej shumë lehtë.

Raportimi i parë i vëzhguesve vendorë, ora 09:00
Në raportimin e parë vëzhguesit vendorë kanë paraqitur përqindjen e qendrave të hapura deri në orën 08:30 në shkallë qarku dhe vendi
Në përgjithësi qendrat janë hapur brenda orës 07:30 të mëngjesit
Vonesat më të mëdha janë kryesisht si pasojë e mungesës së bazës materiale (25) dhe vonesa të komisionerëve (8), si dhe arsye të tjera
Materialet propagandistike nuk janë hequr në afërsi të qendrave të votimit (QV), sikundër parashikon Kodi Zgjedhor
Konfuzion në listat e votuesve janë të regjistruar njerëz që kanë vdekur në vitin 1847
Ka raste kur komisionerëve u është kërkuar të verifikojnë kartat e identitetit me mjete që nuk bëjnë pjesë në inventarin e QV-së, si në Paskuqan
Ka dhe raste kur kandidatët për deputetë, në kundërshtim me ligjin, futen në QV dhe ndërhyjnë në punën e komisionit
Vëzhguesi në Rubik njofton se KQV-ja nuk lyen me bojë votuesit para votimit siç parashikohet në ligj, duke krijuar mundësinë e votimit të më shumë se një herë
Ka raste ku KQV-të nuk kanë pranuar vëzhguesit e pavarur të hyjnë në QV si në atë te shkolla “Petro Nini” në Tiranë dhe në tri QV në Urën Vajgurore etj.
Incidenti më i hasur në orët e para të procesit zgjedhor ka qenë ai i vonesave në dorëzimin e bazës materiale zgjedhore, si dhe mosparaqitja e komisionerëve, i cili është hasur më së shumti në Tiranë e Vlorë

Raportimi i dytë i vëzhguesve vendorë, ora 13:00
Pjesëmarrja në votime deri në orën 13:00 është në masën 25.7 për qind në shkallë vendi
Gjendja e përgjithshme paraqitet e qetë, megjithëse raportohen probleme të njohura tashmë, si mungesa e emrit të votuesve në lista ose alokim në një qendër tjetër që shkakton konfuzion
Ka një numër raportimesh mbi incidente në lidhje me votimin në grup dhe disa të tjera ku pretendohet se vëzhgues të PS-së kanë filmuar votimin. Në disa raste kjo ka shkaktuar pezullimin e votimit

Raportimi i tretë i vëzhguesve vendorë, ora 16:00
Gjendja e përgjithshme paraqitet e qetë, megjithëse raportohen probleme të njohura tashmë si mungesa e emrit të votuesve në lista ose alokim në një qendër tjetër, që shkakton konfuzion
Ka një numër raportimesh mbi incidente në lidhje me votimin në grup dhe disa të tjera ku pretendohet se vëzhgues të PS-së kanë filmuar votimin. Në disa raste kjo ka shkaktuar pezullimin e votimit
Në orën 14:07 në qytetin e Korçës, në disa qendra, njerëzit nuk gjejnë emrin në listë, shkojnë në gjykatë, por institucioni është i mbyllur
Në orën 14:30 në Tropojë (Palsh, Lekbibaj) një qendër është hapur në 10:30 për shkak mosmarrëveshjesh

Raportimi i katërt i vëzhguesve vendorë, ora 20:00
Vëzhguesit tanë kanë raportuar raste të votimit në grup dhe atij familjar
Niveli i komisionerëve nuk ka qenë në nivelin e kërkesave e administrimit profesional
Performanca e policisë ka qenë plotësisht konform ligjit, duke mos pasur asnjë rast të ndërhyrjes së tyre në proces
Në ndonjë rast janë raportuar shqetësime për cilësinë e bojës, por që në përgjithësi nuk ka përbërë problem dhe nuk ka ndikuar mbi procesin
Gjatë procesit të votimit nuk janë vërejtur raste të intimidimit të zgjedhësve apo të orientimit të votës

Natyra e incidenteve të raportuara
Votime në grup
Kaos dhe rrëmujë herë pas here
Moszbatimi i kërkesave për identifikimin e votuesve
Propagandë elektorale
Ndërhyrje e personave të paautorizuar në votim

29 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›