Parregullsitë e zgjedhjeve, ndërkombëtarët vihen në lëvizje të shuajnë tensionet
Ervin KOÇI
Problemet dhe tensionet e djeshme gjatë procesit të votimit dhe më pas në shumë zona të vendit kanë vënë menjëherë në lëvizje vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët janë munduar të qetësojnë situatën. Që në orët e para të ditës së djeshme, kur aspo kishte nisur procesi zgjedhor në të gjithë vendin, vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it janë vënë në lëvizje duke mbajtur nën një monitorim të fortë të gjithë situatën. Atyre u janë bashkëngjitur edhe dhjetëra reporterë të mediave të huaja dhe përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike në Shqipëri, që të gjithë të interesuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Një ndër takimet më të rëndësishme dhe që lëshoi dje mesazhe të forta për ruajtjen e standardeve dhe për shuarjen e tensioneve ishte dhe një takim informal në qendër të kryeqytetit, zhvilluar midis Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri, John L. Withers, si dhe kreut të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Nga autoritetet janë lëshuar mesazhe të forta stabiliteti dhe u është bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime. Edhe të tjera autoritete ndërkombëtare kanë ndjekur nga afër procesin zgjedhor në zona të ndryshme të vendit. Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian, ambasadori Helmut Lohan, ka qenë dje në qytetin e Elbasanit për të vëzhguar nga afër procesin e votimit, edhe pse prej aty mësohej se procesi i votimit vijoi normalisht. Por procesi i monitorimit nga ndërkombëtarët nisi disa ditë më parë, gjatë ditës së mbajtjes së mitingjeve përmbyllëse të fushatës elektorale dhe përplasjes mes PS-së dhe forcave të policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ditën e premte, më 26 qershor.
Vëzhgimi
Ashtu siç është bërë e ditur edhe nga organizatat ndërkombëtare apo përfaqësitë e vendeve të BE-së në Tiranë, këto do të jenë zgjedhjet më të monitoruara ndonjëherë në historinë e demokracisë në vendin tonë. 550 vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it dhe të organizatave të huaja nisën punën disa ditë më parë për të vëzhguar mënyrën e realizimit të procesit të votimeve. Jens Eschenbacher, zëdhënës i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), gjatë një interviste dje për BBC-në, deklaroi se këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas tij, vëzhguesit e huaj janë në vend që prej disa javësh duke ndjekur të gjithë procesin, dhe jo vetëm ditën e zgjedhjeve. Ai ka shtuar më tej se “deri tani Shqipëria nuk ka pasur zgjedhje që të jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare. Këtë herë janë ndërmarrë hapa dhe partitë kryesore politike kanë rënë dakord për të kufizuar mundësinë për manipulime”. Por, për vëzhguesit e huaj një pikë e rëndësishme në këtë proces mbetet numërimi i votës, kur dihet se në të shkuarën ka pasur probleme. Sipas Eschenbacher, gara po ndiqet nga afër jo thjesht si proces për të zgjedhur udhëheqësit, por për të vendosur kredencialet demokratike të Shqipërisë. “BE-ja e ka bërë shumë të qartë se i konsideron këto zgjedhje si një test të rëndësishëm për gatishmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara drejt integrimit më të afërt në BE”, - deklaroi Eschenbacher.
Organizatat
Procesi i monitorimit të zgjedhjeve nuk është vetëm në dorën e institucionit të specializuar për kontrollin dhe certifikimin e proceseve të tilla. Përveç ODIHR-it dhe OSBE-së, në këto zgjedhje kanë dërguar përfaqësuesit e tyre edhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Asambleja Parlamentare e NATO-s etj. Po ashtu, të gjitha përfaqësitë diplomatike të vendeve anëtare të BE-së kanë përfaqësuesit e tyre në ekipin e ODIHR-it, por edhe monitoruese që do të ndjekin nga afër zgjedhjet për interesat e vendeve të tyre. Edhe ambasadorët janë regjistruar si vëzhgues. Vetëm Ambasada Amerikane ka 34 monitorues. Ndërkaq, në Tiranë ka mbërritur tri ditë më parë edhe kongresisti amerikan, Alcee Hastings, bashkëkryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, i cili është edhe zëvendësshef i misionit afatshkurtër të ODIHR-it, që drejtohet nga austriaku Grosruk.
TË DHËNAT E VËZHGIMIT
439 – Numri total i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet
40 – Numri i vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR-it që erdhën më 8 maj
320 – Numri i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE/ODIHR-it që erdhën dje
37 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së
22 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës
5 – Numri i vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
550 – Numri në total i vëzhguesve të huaj që do të ndjekin zgjedhjet
5450 – Numri total i vëzhguesve të huaj dhe shqiptarë në zgjedhje
29 Qershor 2009