EKSKLUZIVE / Tërhiqet Imami, revokohet emërimi i komandantit të Flotës
Tërhiqet Ministri i Mbrojtjes Arben Imami nga emërimi I Ferdinand Kreshpanit në krye të Forcave Detare. Pas publikimit në gazetën Shekulli të dokumenteve ku provohej anashkalimi i Presindetit nga emërimi i Komandantit të Flotës Detare, Ministria e Mbrojtjes ka rinjohur kompetencat e kreut të shtetit për emërimin e Komandantit të Forcave Detare. Kreu i dikasterit të mbrojtjes është tradhtuar nga firma e tij ku ka pranuar kompetencën e Presidentit Topi në emërimin e kreut të Forcave Detare.
Nëse në rastin e emërimit në krye të Forcave Detare, Ferdinand Kreshpani, Imami ka anashkaluar Presidentin, për shkarkimin e tre gjeneralëve Ministri i Mbrojtjes thekson në letrën e përcjellë institucionit të Presidentit që kompetent për emërimin e komandantit të Forcave Detare është Presidenti, pavarësisht gradës që mund të mbajë ushtaraku që do të emërohet. Në fund të letrës e cila është depozituar në Presidencë me numër protokolli 1471, datë 18 nëntor 2011, Imami thekson se Kompetenca për emërimin, shkarkimin e komandantëve të forcave tokësore,detare dhe ajrore, si dhe për emërimin , gradimin , shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë ose në lirim të oficerëve me grada madhore, është e Presidentit të Republikës, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes.
Pra, dallohet qartë që Ministri Imami në nëntor të vitit të kaluar e njihte kompetencën e kreut të shtetit për shkarkimin e tre gjeneralëve , ndërsa katër muaj më vonë, ministri nuk njeh kompetencat e kreut të shtetit dhe e anashkalon atë duke shkelur rëndë Kushtetutën.
