E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia shkel marrëveshjen me Shqipërinë për lëvizjen e lirë

Edmond Haxhinasto dhe Nikola Poposki / Foto arkiv

Pala maqedonase ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë që në ditën e parë të hyrjes së saj në fuqi.

Mësohet se punonjësit e palës maqedonase nuk kanë lejuar kalimin në pikën kufitare të Qafë-Thanës të asnjë udhëtari të pajisur vetëm me kartë identiteti.

Sipas shpjegimeve të palës maqedonase, bllokimi i udhëtarëve ka ardhur sepse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Shkupi për nisjen e zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve.

Marrëveshja, që sot lëvizet vetëm me karta identiteti

Që sot, shqiptarët dhe maqedonasit mund të udhëtojnë drejt dy vendeve respektive me pasaporta apo karta identiteti.

Dita e sotme shënon hyrjen në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, më 1 dhjetor 2011 në Tiranë.

Marrëveshja parashikon lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së shtetasve ndërmjet dy vendeve duke përdorur për këtë qëllim edhe letërnjoftimet (kartat e identitetit).

Marrëveshja është bërë pas propozimit të palës shqiptare, e nxitur nga përvoja pozitive e përdorimit të kartave të identitetit si mjet udhëtimi me Republikën e Kosovës.  / INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›