E Shtunë, 31 Tetor 2026

ELBASAN/ Arrestohet me heroinë 38-vjeçari

 

ELBASAN – Arrestohet me drogë 38-vjeçari nga Elbasani. Një kontroll i ushtruar ndaj Gazmir Bezanit ka sjellë zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie prej 760 gramësh lëndë narkotike, e përcaktuar si e llojit heroinë. Mësohet se policia e Elbasanit kishte marrë informacione në rrugë operative për drogën, duke organizuar dhe operacionin e koduar “Transportuesi”. Bezani mësohet se ka pasur precedent në shtetin fqinj, Greqi, pasi ishte dënuar me 6 vjet heqje lirie për veprën penale të transportit të lëndëve narkotikëve. Mësohet se dhe kjo sasi e drogës së bllokuar  nga policia e Elbasanit po transportohej nga Bezani në një destinacion që nuk bëhet i ditur. Ndaj 38-vjeçarit rëndon akuza e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

POGRADEC/Kapet 66-vjeçari me arsenal armësh
POGRADEC- Policia e Pogradecit arrestoi mbrëmjen e së enjtes një 66-vjeçar, i cili mbante në banesë një arsenal me armë. Raif Leka, nga fshati Lekas u prangos me akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Policia, bazuar në një informacion të marrë në rrugë operative, ushtroi kontroll në këtë banesë dhe në një qoshe të tavanit të shtëpisë i janë gjetur 16 lloje armësh dhe municionesh të ndryshme. Sipas policisë, në banesën e 66-vjeçarit u gjetën një pistoletë, një armë zjarri pistoletë me mulli, një skelet pistolete, një mekanizëm shkrepje arme zjarri, armë zjarri gjuetie, fishekë, 5 kallëpë lëndë plasëse e ngjashme me atë të llojit të tritolit, si dhe mjaft lëndë të tjera luftarake. Pas këtij zbulimi, blutë vunë në pranga Raif Lekën.                            j.gj
                     
KURBIN/ Bagëtitë theren anës rrugës
KURBIN - Të paktën 40 bagëti janë therur dje në qytetin  e Mamurrasit të rrethit të Kurbinit. Bagëtitë janë therur me rastin e festës së Kurban Bajramit në anë të rrugës nacionale Mamurras – Fushë Krujë, në mes të papastërtive dhe mbeturinave, pasi aty mungojnë thertoret. Ndërkohë, kasapët duke qenë se nuk kishin as mundësi të furnizimit me ujë, nuk kanë krijuar as kushtet më minimale të tregtimit të mishit. Therja e bagëtive është kryer pa prezencën e mjekut veterinar. Edhe pse është detyrë e Drejtorisë së Higjienës të mos lejojë therjen e bagëtive në të tilla kushte, askush nuk është përkujdesur për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Kjo situatë përgjatë këtij aksi përsëritet çdo vit në të tilla raste festash.                       r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›