E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i dritave, Prifti: E ekzagjeruar rritja 44 %

 

Nertila Maho
Rritja e çmimit të dritave me 44.1% është cilësuar si e ekzagjeruar nga ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
Ai ka deklaruar dje, se Entit Rregullator të Energjisë i takon, që të bëjë diskutimet dhe vlerësimet lidhur me këtë situatë, si dhe të ndërhyjë me kompetencat që ka. Shifra alarmante e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, e cila po lakohet prej kohësh, vjen si rezultat i kërkesave, që kanë bërë OST, KESH dhe OSSH për rritje të çmimit për shërbimet e tyre. Ministri Prifti u shpreh se, një rritje në shifra të tilla, është jonormale dhe e papërballueshme për konsumatorët shqiptarë. Deklarata e bërë gjatë vizitës së kreut te Ministrisë së Ekonomisë në panairin Ndërkombëtar në Tiranë, lidhet me dëgjimoren publike të disa ditëve më parë, ku aktorët përkatës diskutuan për rritjen e energjisë, dhe ku OSSH kërkoi të paktën 23.1% rritje për vitin 2010 dhe pjesa tjetër të rritet gjatë vitit 2011. Kjo kërkesë e çekëve vinte si rezultat i humbjeve që po pëson çdo ditë CEZ grup. Ata bënë thirrje që kjo kërkesë të shihet me kujdes nga ERE, sepse kompania po has vështirësi financiare. Disa nga arsyet që OSSH dha për rritje të çmimit gjatë raportimit ishin humbjet në rrjet dhe vjedhjet, që sipas tyre kapin shifra rekord. Të pranishëm në debat ishin edhe Avokati i Popullit dhe institucione të tjera në mbrojtje të konsumatorit të cilët kanë kërkuar mos të ketë rritje të çmimit të energjisë. Enti Rregullator i Energjisë, i cili ishte edhe drejtuesi i këtij debati, ka dëgjuar raportimet e KESH, OST, dhe grupit çek CEZ, i cili zotëron 76% të aksioneve në OSSH, dhe pritet që në dhjetor të japë një zgjidhje për këtë problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›