Trakte për kryengritje popullore
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Qyteti i Laçit gdhihet i mbushur me trakte ditën e festës së Bajramit. Të shpërndara në të gjitha lagjet, këto fletushka bënin thirrje për protesta masive deri edhe në kryengritje mbarëpopullore për përmbushjen e disa kërkesave që kanë të bëjnë me dritat, rrugët, pronat etj.
Një ndër pikat që iu vihej në dukje qytetarëve është që kjo protestë duhej të zhvillohej për të mos lejuar ngritjen e çmimit të energjisë jo vetëm në Kurbin, por në të gjithë vendin. Më pas renditeshin edhe pika të tjera që kanë të bëjnë me sigurimin e rendit dhe qetësisë, hapjen e vendeve të punës, si dhe kundërshtimin e politikave që po ndjekin disa dikastere. Gjithashtu, në fletushkat e shpërndara radhitej edhe problematika e lidhjes së qytetit të Laçit, Milotit e Rubikut me autostradën me anë të një rotonde, e cila disa herë është kërkuar nga banorët e kësaj zone. Në thirrjen për protesta kërkohej edhe dëmshpërblimi i banorëve që ua ka zënë tokat autostrada dhe njëherazi, rishikimi i çmimit të tokës i cili është më i ulëti në vite. Banorët kanë protestuar edhe më parë për këtë shkak, duke firmosur edhe peticione drejtuar organeve vendore e qendrore për të zgjidhur këtë çështje. Thirrja e djeshme për protesta masive iu drejtohej nxënësve, studentëve, oficerëve të liruar, të persekutuarve dhe gjithë banorëve të këtij rrethi. Poseduesit e këtyre “trakteve” bënin thirrje për protestë duke akuzuar edhe sindikatat se janë bërë palë e qeverisë dhe kanë braktisur përfundimisht interesat e qytetarëve të vendit të tyre. “Grupi organizator nuk është pjesë e asnjë përfaqësie politike dhe protestat do të jenë pa suporte politike, por mbarëpopullore”, shkruhej në këto fletushka. Sipas policisë, thirrjet janë shpërndarë natën. Një pjesë të trakteve të vendosura nëpër qytet i grisën dje policët bashkiakë, ndërsa blutë e Kurbinit, krahas heqjes së tyre kanë kryer edhe ekspertizën e këtyre afisheve si dhe ka nisur hetimet për gjetjen e personave që kanë shkruar dhe vendosur këto thirrje nëpër qytet.
Shkodër, Enti padi për 60 familje
SHKODER - Rreth 60 familje që kanë përfituar banesa nga Enti Kombëtar i Banesave si të pastrehë, mund ta humbin atë nëse nuk lidhin kontratat përkatëse dhe nuk paguajnë detyrimet financiare. Kreu i këtij Enti në Shkodër, Lulëzim Karini sqaron se ligji do të zbatohet për të gjithë dhe nuk do të ketë të privilegjuar. “Institucioni ynë ka përgatitur dokumentacionin përkatës dhe do të bëjë padi gjyqësore ndaj 60 debitorëve të këtij enti. Ky numër është nxjerrë pasi kemi bërë të gjitha verifikimet e duhura. Madje për këtë kemi vënë në dijeni të interesuarit”, pohoi ai. Sipas Karinit, këta persona kanë përfituar banesa si të pastrehë, por pasi kanë hyrë në shtëpi, nuk kanë likuiduar detyrimet e përcaktuara nga Enti. Këto familje janë të detyruara që të shlyejnë me këste pagesën, në bazë të kontratës së lidhur. Veç tyre, edhe 100 raste të tjera kanë nxjerrë probleme, pasi nuk kanë lidhur kontratën me Entin e Banesave. r.d
Burrel, Gjonaj i Darfo-s, i pafajshëm
BURREL - Tonin Gjonaj, specialisti i “Darfo”-s dhe ish përgjegjësi i UFK-së Hasan Dervishi janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat. Ndaj tyre ishte hapur çështja penale nga prokuroria e më pas në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas shpërthimit të një furre shkrirjeje në uzinën e ferrokromit. Prokurori i çështjes, Naim Tota kërkoi seancën e mëparshme shpalljen fajtor të dy përfaqësuesve të firmës italiane “Darfo” dhe ndëshkimin e tyre “dy vjet me kusht”. Por mbrojtja gjatë seancës së dy ditëve më parë ka bindur trupin gjykues se Gjonaj dhe Dervishi nuk janë fajtorë për shpërthimin e furrës 1 vit më parë, ku ngelën të plagosur 3 persona. Gjykata e Matit vendosi gjithashtu dhënien e pafajësisë për Dervishin dhe Tonin Gjonajn. Ky i fundit u arrestua pak ditë më parë në Elbasan, për abuzime në UFK-në e këtij rrethi. h.p.