EPOKA PARA GJYQIT
Nga Fehmi Pireva
Procesi i pavarësimit të Kosovës po ecën në një periudhë sfiduese pas luftës. Këto sfida të natyrës politike po bëhen pjesë e një fushëbeteje ku përplaset diplomacia e shumë vendeve pro dhe kundra.
Politika serbe, e cila vepron sistematikisht në përpjekje për të gjetur vrima të hapura ku mund të goditet konsolidimi i shtetit dhe i njohjes së pavarësisë së Kosovës, dëshiron të thellojë të çara të mëdha para bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur situatën në Kosovë objekt i diskutimit dhe kontestimi të një realiteti të ri politik që nuk mund të zhbëhet më.
Çdo javë vijnë e formësohen dhe shtjellohet një cikël i ngjarjeve të llojllojta, të cilat edhe nganjëherë na gjejnë “gafil” për t’i dhënë përgjigjen adekuate. Tani në rrafshin politik ndërkombëtar mbi sipërfaqe zunë vend dy ngjarje të mëdha më të përfolura ku Serbia, siç thuhet në popull, përpiqet të “nxjerrë dhjam nga pleshti”.
Njëra nga to është kontestimi i shpalljes së pavarësisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila do të duhej pas një vlerësimi të fakteve të prezantuara të japë një përgjigje meritore për të hequr përfundimisht dilemat që qëndrojnë kundrejt fakteve të fuqishme që procesi i njohjes së vazhdueshme të pavarësisë po ua ngushton hapësirën e dyshimit edhe atyre shteteve që gjykojnë jo vetëm nga konteksti nacional i interesave të brendshme, por edhe atij global. Serbia si duket edhe kësaj radhe po teston raportin e forcave politike, me të pavërtetat për Kosovën dhe pret të “ngushëllohet” nga një vendim eventual i institucionit më të lartë të drejtësisë.
Ky lloj i vendimmarrjes do të ishte për të tepër i rëndësishëm, sepse do t’i krijonte Serbisë hapësirë në luftën donkishoteske për “argumentim” për pozicionin e saj “të drejtë” që e ka manifestuar nga Millosheviçi e deri më sot. Rezultati i tërë kësaj të papriture, sipas kësaj logjike, do të ndikonte në forcimin e rreshtimit të sa më shumë aleatëve serbë kundër mohimit të pavarësisë së një shteti të ri, hap ky që do të mbështeste për muri pjesën më të madhe të botës, e angazhuar vite me radhë në një investim të madh për lirinë dhe demokracinë e një vendi.
Një ngjarje e mëvonshme, e cila sa vjen e sensibilizohet dhe që do t’i shkonte në favor të parës, është nisma për të filluar një ekspertizë të gjoja vendeve të krimit të bëra mbi civilët serbë dhe tregtimi me organet më vitale trupore nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në territorin e Shqipërisë.
Ky lajm i pabazuar në fakte dhe prova materiale mori dhenë dhe për një çast, sikur la në harresë mijëra civilë të vrarë shqiptarë, si dhe shumë të pagjetur, për të cilët që nga paslufta nuk dihet asgjë për fatin e tyre tragjik.
Kushedi edhe çfarë mund të nxjerrë në të ardhmen politika serbe për Kosovën, duke hulumtuar nëpër të gjitha vrimat e të sotmes dhe të kaluarës.
Sidoqoftë, pozicioni i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar po ecën para. Por, ne duhet të jemi të gatshëm që çdo sfide t’i japim përgjigjen e merituar, sepse e drejta ka qenë dhe mbetet në anën tonë. Një rol në ndryshimin e politikës serbe në raport me Kosovën duhet ta luajë bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos SHBA-ja, duke e rritur presionin politik në një kushtëzim të vazhdueshëm për të ndryshuar qasjen e saj deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kjo politikë do të duhej të ishte konsistente deri në një pikë sa Beogradi ta ndiente pamundësinë për të reflektuar jostabilitet dhe pasiguri për rajonin. Dhe nën këtë trysni të vazhdueshme do t’i nxirrte jashtë loje të gjitha ato forca politike që veprojnë mbi bazën e një hegjemonizmi për t’u hapur rrugë forcave politike të moderuara që japin shpresë për promovim të një politike më të dobishme, e hapur për bashkëpunim në rajon dhe e bazuar në parimet e një realiteti politik evropian për të rrugëtuar më të sigurt se kurrë më parë.