Tymnaja ekonomike e kartave
Tymnaja ekonomike e kartave
Ka që gërthasin: “Kartat e identitetit t’i kemi të gjithë falas! Ja, i ka bërë falas Danimarka për qytetarët e saj!”. Le ta lëmë mënjanë faktin që në të gjithë Evropën vetëm dy shtete kanë shpërndarë karta identiteti falas. Por a e dinë këta gërthitës se çfarë shteti është Danimarka dhe çfarë fuqie ekonomike ka, që as që mund të krahasohet me situatën tonë? Mjafton të kujtosh që prodhimi i përgjithshëm i këtij shteti për frymë është pesëmbëdhjetë herë më i lartë se yni. Që shteti asistencialist në Danimarkë ka një përvojë njëqindedyzetepesëvjeçare. Po shtetet e tjera, sidomos të rajonit tonë? Greqia, kartat e identitetit i shpërndan për qytetarët e vet me një çmim tri herë më të lartë se tonin. Maqedonia dy herë më të lartë, Mali i Zi një herë e gjysmë. Përse duhet t’i shpërndajë shteti ynë falas ato? Nuk ka asnjë arsye. Kartat e identitetit do të vlejnë për shumë nevoja të qytetarëve dhe pikërisht pse plotësojnë disa nevoja të tyre për vërtetime e dokumente, është e natyrshme të kenë një vlerë tregu. Nga ana tjetër, prodhimi i kartave (sidomos ai i kartave elektronike) ka koston e vet dhe po ashtu është më se e natyrshme që një pjesë të kësaj kostoje ta përballojnë qytetarët, pse kjo kartë nuk vlen vetëm si fletë njohjeje për votim, por edhe zëvendëson certifikatat e deritanishme. Sikur njëzet e pesë certifikata të kërkojë shtetasi ynë brenda një viti për dokumentacione të ndryshme dhe ja u bë çmimi i sotëm që paguajmë për kartën. Arsyetime të tilla mjaftojnë për të zhveshur nga rrobat e gjoja taksës çështjen e kartave të identitetit. Ajo, kësisoj, e zhveshur kthehet thjesht në atë që është realisht: në një lojë politike, të cilën opozita po e luan fort këto ditë, duke ngjallur një tension krejtësisht të panevojshëm brenda vendit, por që ka reperkusionet e veta edhe në Bruksel e pranë aleatëve tanë të tjerë të natyrshëm perëndimorë. Ja përse “Jo”-ja e plotë ndaj mundësisë së kartave falas për të gjithë nga ana e Kryeministrit të vendit përfaqëson përgjigjen e duhur ndaj pseudo-taksës së trumbetuar nga opozita. Është një lojë pa dyshim e shëmtuar kjo e kartave, pse një shërbim publik si dokumenti i identifikimit barazohet me një taksë, detyrim shtetëror për të mbushur arkën e shtetit. Në fakt, ekonomikisht është e kundërta. Shteti kryen një shërbim ndaj qytetarit, duke e pajisur me një dokument identifikimi dhe ky, për koston që ka harxhuar shteti, paguan çmimin e shërbimit. Një raport krejt i pastër shërbimi publik, por jo taksimi. Taksa vilet si detyrim shtetëror dhe jo si shërbim shtetëror. Janë dy koncepte ekonomike krejt të ndryshme. Mirëpo opozita, për të fituar pikë zgjedhore aty ku realisht nuk ka vend për të fituar, po luan me shijen e keqe që lë tek qytetarët fjala “taksë”, njëlloj si dikur fjala kooperativë. Opozita bën mirë të lërë këto lojëra pa bukë. Ajo duhet të shqetësohet për platformën e saj, për programin me të cilin do të dalë përpara shqiptarëve. Këto pseudo-shqetësime e ky alarm fals për 12 mijë lekët e vjetra të kartës që po i “varfërojnë” dhe “rrënojnë” tmerrësisht shqiptarët, janë sa jashtë kohe, aq edhe djallëzore.
Plarent Ndreçka