KLD zgjidh ngërçin e bandës së Lushnjes, cakton gjyqtarët
Katër gjyqtarë të shkallës së parë marrin statusin e Krimeve të Rënda dhe dosjen e anëtarëve të bandës
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjidh ngërçin e krijuar prej kohësh në procesin gjyqësor kundër bandës së Lushnjes.Sipas burimeve zyrtare pranë KLD-së, mësohet se në mbledhjen urgjente të dy ditëve më parë, anëtarët e këshillit, me propozim të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj vendosën të delegojnë pranë togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda katër gjyqtarët e Tiranës. Kështu, me vendimin e KLD-së, gjyqtarët Ridvan Hado, Gerd Hoxha, Ilir Mustafaj dhe gjyqtarja Shefkije Demiraj do të jenë anëtarët e pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Marsela Balili. Këta gjyqtarë do të kenë në duart e tyre tash e tutje dosjen për shtatë të pandehurit e "bandës" së Lushnjës. "Pesëshja gjykuese e formuar tashmë do të shqyrtojë çështjen nga themeli për shtatë të pandehurit: Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Rexhep Gina, Arjan Aliçko dhe Agur Muskaku, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale të drejtuar nga i arrestuari në Turqi, Alfred Shkurti alias Aldo Bare",-thuhet nga burimet e KLD-së.
***
Shkak për këto katër delegime është bërë konsumimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda në tri procese të zhvilluara deri më tani, ku janë dënuar disa nga të pandehurit e cilësuar si anëtarë të "bandës" famëkeqe të Lushnjës. Ndërkohë, edhe për dy krerët e kësaj "bande", Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, dosja e të cilëve është në gjykim pranë kësaj gjykate, KLD-ja do të vendosë emrat e gjyqtarëve, jashtë Krimeve të Rënda të cilët do të marrin në shqyrtim procesin.Sipas burimeve nga KLD-ja, mësohet se për rreth 2 muaj procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të "bandës" së Lushnjës po zvarritej për shkak të mungesës së gjyqtarëve për gjykimin e kësaj dosjeje, gjë që tani shpresohet se nuk do të ketë më zvarritje të seancave gjyqësore. "Katër gjyqtarët e deleguar: Ridvan Hado, Gerd Hoxha, Ilir Mustafaj dhe gjyqtarja Shefkije Demiraj do të trajtohen ndryshe për punën që do bëjnë, duke i shoqëruar me makinë për çdo ditë të seancës gjyqësore nga Gjykata e Shkallës së Parë deri te ajo e Krimeve të Rënda ku do të marrin pjesë në gjykimin e dosjes",-thuhet nga burimet pranë togave të zeza.
***
Sipas dosjes së dorëzuar për gjykim pranë togave të zeza, anëtarët e "bandës" famëkeqe kanë kryer një sërë vrasjesh, duke filluar që nga viti 1997 deri në vitin 2006, pak ditë pas arrestimit të tyre. Vrasjet në Lushnje filluan me ekzekutimin e shtetasve Genci Kashari, Bardhyl Rabija dhe vëllait të Aldo Bares, Ramadan Shkurti, duke vazhduar me ekzekutimin në sy të familjes të shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri. Më pas vritet nga anëtarët e "bandës" shtetasi Nimet Zeneli",-thuhet në kërkesën për gjykim. Gjatë kësaj kohe banda ekzekuton edhe persona të tjerë, ndërsa qëllimin kryesor arrin ta përmbushë vetëm më 21 tetor 1998. Artur Daja vritet dhe më pas i pritet koka që shfaqet në duart e anëtarëve të bandës në qendër të qytetit të Lushnjes. Banda tashmë e konsideronte veten mjaft të fuqishme sa për t'iu kundërvënë edhe shtetit, duke sulmuar disa herë krerë të policisë lokale e në fund duke vrarë inspektorin e krimeve Klenti Bano. Pas vrasjes së njerëzve të Dajës, ekzekutohen nga banda Artan Sulçe, Bledar Haxhia, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirra, si dhe janë plagosur Bernard Linatopit dhe Bardhyl Kurti. Këto janë akuzat e prokurorisë, që tashmë duhen vërtetuar në gjykatë.