E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: Ndalohet me ligj faturimi aforfe

Enti Rregullator: Pas datës 1 maj, asnjë faturim për 84 mijë konsumatorët pa matës

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) bën me dije të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike, se pas datës 1 maj ndalohet me ligj faturimi aforfe. Vendimi është marrë nga bordi i komisionerëve të ERE-s, "Për përcaktimin e kohëzgjatjes për faturimin aforfe për klientët familjarë pa matës të energjisë elektrike", duke saktësuar se afati i faturimit aforfe të energjisë elektrike ka përfunduar në datën 30 prill 2010. Sipas ERE-s, pas datës 1 maj, OSSH nuk ka të drejtë t’ua faturojë konsumatorëve energjinë elektrike pa vëzhguar sahatin matës. “çdo faturim aforfe i energjisë elektrike tej këtij afati do të konsiderohet i jashtëligjshëm”, ishte njoftimi zyrtar i ERE-s, shpërndarë dje për mediat. Referuar raportit vjetor 2009, në rang vendi numërohen rreth 84 mijë abonentë të energjisë elektrike pa matës energjie, duke shkaktuar në një farë mënyre kosto për të dyja palët, pra konsumatorin dhe OSSH-në.

Vendimi

Aktualisht peshën specifike më të madhe në nivelin e efektivitetit të konsumit të energjisë elektrike e kanë zonat e Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Shkodrës. Konkretisht, ndaj këtyre zonave, ERE planifikon tarifa të ndryshme aforfeje, të ndara në dimër dhe verë, sipas konsumit. Kështu, Tirana në dimër, nivelin e energjisë aforfe të lejuar e kishte 600 kilovat/orë në muaj, kurse në verë 400 kilovatë. Përdorimi i aforfesë bëhet për shkak të mangësisë me matës energjie, të cilën jo e gjithë popullata e ka, si për rastet kur sahati pëson dëmtim për një kohë të caktuar. Heqja e aforfesë nga ERE ndodh për herë të parë pas disa shtyrjeve të kërkuara nga OSSH, si pamundësi për të vendosur matës energjie për të gjithë. Me ardhjen e kompanisë private, CEZ, që bleu 75 për qind të aksioneve, ERE e pa të arsyeshme të mos e shtynte më afatin, pasi privati i kishte mundësitë të investonte në instalimin e matësve.

Pasojat

Mungesa e matësve të energjisë ka shërbyer si konflikt mes shtetit dhe konsumatorit, si dhe mes ERE-s dhe OSSH-së, pasi dhe vetë kompania pëson humbje, sikurse dhe familjet. Në shkallë vendi rezultojnë pa matje 7.6 për qind e konsumatorëve tariforë, ose 83973 konsumatorë. ERE, duke marrë në konsiderate kohën e pamjaftueshme në dispozicion të OSSH-së, mbas privatizimit, për plotësimin e konsumatorëve me matës, me vendimin nr.104, datë 22.12.2009, vendosi që të shtyjë afatin e faturimit të ashtuquajtur “aforfe” deri më 30 prill 2010. Pas kësaj date, ERE e ndaloi aforfenë, duke i hapur rrugë transparencës të konsumit, si dhe një formati më të qartë të nivelit të humbjeve. ERE, plotësimin me matës të të gjithë konsumatorëve tariforë e konsideron si një objektiv me shumë rëndësi, që ndikon pozitivisht në zvogëlimin e përdorimit pa limit të energjisë elektrike, në rritjen e arkëtimeve, zvogëlimin e humbjeve jo teknike dhe zvogëlimin e kërkesës për energji”, thekson Enti Rregullator. Duke qenë kështu, ERE do të monitorojë me kujdes realizimin nga ana e OSSH-së të këtij objektivi brenda afatit të caktuar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›