E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike

Bordi drejtues i Entit Rregullator të Energjisë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e CEZ Shpërndarje për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët.

Kërkesë për rritje të çmimit bëri KESH, OST dhe CEZ. Rritja e çmimit u kërkua gjatë një seance dëgjimore të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë me grupet e interesit.

KESH kërkon rritjen e çmimit nga 1.48 lekë në 5.05 lekë. OST ka kërkuar nga ana e saj rritje nga 0.6 lekë në 0.73 lek për KW, kurse CEZ propozon dy alternativa për rritjen e çmimit të energjisë: Rritjen e çmimit mesatarisht me 4.6%, ose mos rritje të çmimit por likuidimin përfundimtar të borxhit mes CEZ-it, KESH-it dhe qeverisë.

ERE vendos sot për çmimin e energjisë

Emirjon Senja

Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë mblidhet sot në mesditë për shqyrtimin e kërkesave të tri kompanive të energjisë elektrike, CEZ Shpërndarja, KESH dhe OST për rritjen e çmimit të saj për një periudhë 3 vjeçare. Mbledhja vjen pas disa dëgjesave të zhvilluara me kompanitë në fjalë dhe shqyrtimit me detaje të kërkesave të tyre. Bordi pritet të dalë me një vendim të përbashkët në orët e pasdites, ku do të përcaktohet nëse do të ketë rritje ose jo apo nëse do të aplikohet e njëjta skemë si vitin e shkuar, ku të preken çmimet e shërbimit midis kompanive në fjalë.

CEZ Shpërndarja ka kërkuar një rritje mesatarisht 4.6 për qind, e cila për konsumatorët familjarë përkthehet në rritje nga 7.7 lekë në 8.05 lekë kWh për konsum deri në 300 kWh në muaj dhe nga 13.50 lekë në 14.16 lekë kWh për konsum mbi fashën 300 kWh. Nga ana tjetër, KESH ka kërkuar që tia shesë CEZ-it një kWh me jo më pak se 5.05 lekë nga 148 lekë kWh që është aktualisht, kurse OST kërkon rritjen e çmimit nga 0.6 lekë kWh në 0.73 lekë.

Përkundër tre kompanive, rritje çmimi kanë kërkuar edhe HEC-et e Ulzës edhe Shkopetit, të cilët me një ligj të veçantë u ndanë nga KESH dhe funksionojnë si kompani të veçanta. Çmimi final që paguajnë konsumatorët për një kilovat energji përbëhet nga kostoja e prodhimit të KESH-it apo e ajo e blerjes në tregun ndërkombëtar, kostoja e transmetimit nga HEC-et tek linjat e operatorit të shpërndarjes nga OST-ja dhe nga kostoja e CEZ Shpërndarjes plus fondet e nevojshme për të investuar gjatë vitit tjetër si dhe fitimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›