Kuvendi i Kosoves miraton nëntë ligje nga paketa “Ahtisari”
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar, gjatë ditës së djeshme, me 77 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime, nëntë ligje që dalin si përgjegjësi nga propozimi i ish-presidentit Marti Ahtisari. Ndërkaq, Projektligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme i është kthyer qeverisë për ndryshime strukturale. Projektligjet e miratuara janë konsideruar tejet të rëndësishme për funksionimin e Kosovës si shtet, ndërkaq shefat e të gjitha grupeve parlamentare i dhanë mbështetje miratimit të 9 ligjeve, ndonëse asnjë ndryshim nuk mund të bëhet pas miratimit të rekomandimeve nga Komisioni Ad-hoc dhe pas nënshkrimit të kryetarit të Kuvendit. Siç bëjnë të ditur agjencitë kosovare të lajmeve, Kuvendi aprovoi në paketë ligjin “Për privilegjet dhe imunitetet diplomatike”, “Për shtetësinë”, “Për policinë”, “Për inspektoratin policor”, “Për dokumentet e udhëtimit”, “Për përdorimin e simboleve shtetërore”, “Për zonat e veçanta të mbrojtura”, “Për vetëqeverisjen lokale”, dhe ligji “Për kufijtë administrativë-komunalë”. Plani i Ahtisarit, i miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës në prill të vitit të kaluar, parashikon që Kosova e pavarur të ketë një infrastrukturë me bazë ligjore prej 34 ligjesh. Prej tyre, 22 janë të domosdoshme që të miratohen dhe ekzekutohen në ditët e para pas pavarësisë, meqë krijojnë bazë për funksionimin e shtetit. Në pakon e Ahtisarit ndërkaq janë ndarë ligjet në bazë të përgjegjësive dhe prioriteteve. Aty përfshihet ligji “Për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”, ligji “Për vetëqeverisjen lokale”, ligji “Për kufijtë komunalë”, Ligji “Për themelimin e zonave të mbrojtura”, ligji “Për themelimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës”, ligji për “Aviacionin Civil, ligji “Për ndryshimet e Rregullores së Kuvendit”, ligji “Për themelimin e Komisionit të Kuvendit për Mbikëqyrje të Sigurisë, si dhe ligji “Për financat lokale”.
21 Shkurt 2008