E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozohet audit për të kontrolluar financimin e partive politike

KQZ-ja anulim mandateve të fituesve nëse mungon transparenca. Hetim donacioneve përpara shpalljes së datës së zgjedhjeve
Shaban Sulçe

Reforma zgjedhore nuk mund të realizohet në rast se do të mungojë transparenca e financimit të partive politike në fushatat elektorale. Kjo ka qenë një prej kërkesave dhe rekomandimeve të vazhdueshme që institucionet ndërkombëtare si OSBE-ODIHR-i, por edhe organizma të tjerë të rëndësishëm të çështjeve zgjedhore, kanë dhënë në drejtim të politikës shqiptare. Ndërsa kjo e fundit aktualisht është e përfshirë në debatin për çështjen e sistemit zgjedhor brenda limitit të mbetur kohor për marrjen e ftesës së anëtarësisë në NATO, duhet të zgjidhë çështjen e transparencës financiare.
Kërkesa kryesore është e lidhur me hartimin e një ligji në Kodin Zgjedhor, i cili duhet të përcaktojë krijimin e një sistemi profesional dhe të pavarur auditi, që do të mundësonte një procedurë të vërtetë hetimore ndaj deklarimit që bëjnë subjektet zgjedhore për financimet dhe shpenzimet e partive në fushatat elektorale. Koncepti i këtij sistemi auditi është i lidhur me krijimin e tij si një institucion profesional dhe i pavarur, i cili do të përmbajë burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike për realizimin e auditimit, si dhe të përcaktimit të detyrave, të të drejtave dhe kufizimeve që do të kishte ky institucion në këtë proces.
Sistemi i auditit
Sistemi i Auditit është konceptuar si një institucion, veprimtaria e të cilit do të jetë e bashkërenduar dhe e lidhur ngushtë me institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Do të jetë ky i fundit ai që do të sanksionojë marrjen e masave ndëshkuese ndaj partive politike, në rast të evidentimit të fshehjes së transparencës financiare të tyre.
Një element mjaft i rëndësishëm i funksionimit të sistemit të auditit do të jetë detyrimi ligjor, në të cilin partitë politike duhet të dorëzojnë listën e plotë të financuesve të fushatave të tyre elektorale. Dorëzimi i kësaj liste do të konsiderohej si një dhe botimi i saj në Buletinin e Zgjedhjeve të KQZ-së apo në shtypin e shkruar do të konsiderohet si një avantazh lehtësues për procesin e auditimit si dhe një provë e transparencës së financimit të fushatave elektorale.
Rekomandime të tjera
Një pikë mjaft e debatueshme e çështjes së financimit të partive për fushatat elektorale përbën edhe periudha në të cilën këto parti duhet të deklarojnë financimet në fjalë. Specialistët e kësaj fushe sugjerojnë që auditi ndaj partive të kryhet përpara dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo pasi është e qartë që financimet e partive për fushatat bëhen shumë kohë përpara shpalljes së zgjedhjeve, ndërkohë që realizimi i auditit përpara kësaj periudhe do të realizonte një investigim dhe transparencë më të plotë për financimet që u janë bërë partive politike.
Një tjetër sugjerim për të përmirësuar ligjin e financimit të partive politike është i lidhur me formalizimin e këtyre financimeve. Të gjithë donatorët, por edhe partitë përfituese, duhet të shmangin donacionet kesh. Ato duhet të krijojnë llogaritë të posaçme në banka dhe financimi duhet të bëhet nëpërmjet sistemit bankar.
KQZ
Përmirësimi i kuadrit ligjor për financimin e partive politike si dhe mirëfunksionimi i sistemit të Auditit si një institucion i pavarur, presupozon rritjen e transparencës, por edhe marrjen e masave shtrënguese ndaj subjekteve që fshehin burimet dhe sasinë e financimeve. Kjo do të jetë një e drejtë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ do të aplikojë sanksione të rrepta ndaj atyre subjekteve zgjedhore apo kandidatëve, të cilët do të mashtrojnë apo do të fshehin të dhënat për financimet e marra në fushatën zgjedhore. Një prej sanksioneve më të ashpra që KQZ-ja do të marrë në këto raste do të jetë anulimi apo heqja e mandateve të fituara nga subjektet apo kandidatët.
Zgjedhjet në Shqipëri
Proceset e fundit zgjedhore në Shqipëri kanë shënuar rekorde stratosferike të shpenzimeve financiare nga partitë politike. Fakti më i errët në këtë drejtim ka qenë mospërputhja e deklaratave që partitë kanë bërë për financimet e marra, me shpenzimet reale që ato kanë kryer në fushatat zgjedhore. Gjatë këtyre zgjedhjeve, pothuajse të gjitha partitë politike kanë preferuar që të deklarojnë shuma modeste dhe sa më pak emra donatorësh të fushatave të tyre, ndërkohë që ka qenë shumë e thjeshtë për të kuptuar se këto shuma, ishin shumë larg shpenzimeve stratosferike të bëra për mitingjet e mëdha, koncertet elektorale, këngëtarët, qiratë e sallave, shpenzimeve operative, spotet publicitare, posterat, broshurat etj. E njëjta gjë u vu re edhe në zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2007, ku shuma në total e deklaruar nga të gjitha partitë politike, për financimet nuk shkonte më shumë se 2 milionë dollarë, ndërkohë që nëse do të bëhej një bilanc real, kjo shumë do të ishte qindra herë më e madhe. Kjo ka bërë që e gjithë politika shqiptare të kritikohet nga institucionet ndërkombëtare, ndërkohë që mes partive politike vazhdimisht nuk kanë munguar akuzat se janë financuar nga njerëz të krimit të organizuar, apo se me këto financime janë pastruar para.

Gjykata Kushtetuese i hoqi KLSH-së verifikimin e parave të partive

Gjykata Kushtetuese i ka cilësuar partitë politike si bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e bindjeve dhe pikëpamjeve e interesave të përbashkëta politike. Sipas Vendimit të kësaj gjykate numër 33, datë 9.5.2001, në aspektin kushtetues dhe ligjor, partitë politike nuk mund të njësohen me institucionet shtetërore apo me persona të tjerë juridikë apo shtetërorë.
Nisur nga ky fakt, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një pjesë të nenit 23 të Ligjit për “Partitë Politike”, duke i hequr të drejtën Kontrollit të Lartë të Shtetit që të ushtrojë kontroll mbi financimet e partive politike me burim nga subjektet private. Sipas saj, e drejta e kontrollit të KLSH-së është e kufizuar vetëm në atë pjesë të fondeve që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit. Ky shfuqizim i fjalisë së dytë të Nenit 23, bën që dispozita të jetë e paplotë dhe rrit mungesën e transparencës për ato fonde të partive të politike, të cilat nuk vijnë nga buxheti i shtetit dhe janë jashtë kompetencës së kontrollit nga ana e KLSH-së. Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese është përpjekur që t’i detyrojë partitë politike që të ofrojnë transparencë për të ardhurat e tyre. Sipas kësaj gjykate, “Neni 9/3 i Kushtetutës i detyron partitë politike që burimet financiare si dhe shpenzimet e tyre t’i bëjnë kurdoherë publike. Prandaj, mosrespektimi i këtij detyrimi kushtetues, në kuptim edhe të Nenit 131 shkronja “d”, të Kushtetutës, përbën juridiksionin kushtetues dhe njërën nga kompetencat e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur për kushtetutshmërinë e veprimtarisë së partive politike”.

Çfarë përmban Kodi Zgjedhor

Kodi zgjedhor, me ndryshimet që iu bënë gjatë vitit 2004 nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikoi për herë të parë në legjislacionin zgjedhor shqiptar, dispozita që lidhen me financimin e fushatës zgjedhore të partive politike dhe kandidatëve, si dhe me deklarimin e shpenzimeve të kryera prej tyre gjatë fushatës zgjedhore. Rregullimi ligjor përbën përpjekjen e parë drejt plotësimit të një prej parimeve thelbësore për një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë, atij të transparencës.
Pjesa e Njëmbëdhjetë (nenet 143, 144, 145, dhe 145/1) e Kodit Zgjedhor ka për objekt si financimin e subjekteve zgjedhore nga fondet publike, ashtu edhe atë nga burimet e tjera private. Kodi reflekton logjikën e Ligjit “Për partitë politike”, i cili, krahas fondeve të buxhetit të shtetit, parashikon edhe donacione private, kuotat e anëtarësisë dhe çdo pasuri të fituar në mënyrë të ligjshme nga ana e partive politike. (Ligji numër 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, ndryshuar me Ligjin numër 9542 datë 2.2.2006).
Në përputhje me Nenin 144/1 të Kodit Zgjedhor subjektet zgjedhore (partitë politike të regjistruara në KQZ, kandidatët e mbështetur nga partitë politike, si dhe kandidatët e pavarur) mund të përfitojnë për fushatat e tyre zgjedhore dhurata nga personat fizikë ose juridikë, privat vendas. Dhurata ose kundër vlefta, vlefta në sende ose shërbime nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të mbajnë një dokumentacion të rregullt dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi në çdo rast në varësi të kategorizimit të dhuruesit.

Zgjedhjet e vitit 2007
Subjekti zgjedhor Të ardhura Shpenzimet

PSSH 45060314 45073282
PR 0 10841300
PDSH 52941135 47725422
PSD 5687941 5333743
LSI 11055515 11054638
PDS 1831689 5003837
PDR 0 4834200
BK 0 350000
PBDNJ 0 7040000
PLL 0 700000
PAA 0 6643500
PGJSH 0 47434
PAD 3450000 3450000
PKSH 594429 350000
PA 0 150000
PBD 564000 100000

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›