Çekët, verifikim bilanceve të OSSH-së
Deri tani, CEZ ka shikuar dhe vlerësuar ato të dhëna të paraqitura zyrtarisht nga qeveria. Në një botë kapitaliste, ku lufta për fitimin e një qindarke konsiderohet e ashpër, madje e paskrupullt, dyshimet dhe vëmendja janë maksimale. Në këtë pikë nuk bën dallim as për kompaninë që sapo bleu për 102 milionë euro OSSH-në. Çekët e njohin mirë tregun e rajonit, pasi u shërbejnë 7 milionë abonentëve. Si pasojë, renditen mes 10 kompanive më të fuqishme të Evropës. Nisur nga kjo, çdo veprim i tyre rreth aktivitetit të OSSH-së do të merret vetëm pasi të kenë parë nga afër mënyrën se si funksionon kompania që sapo kanë blerë. Drejtuesit aktualë të OSSH-së kanë rritur nivelin e arkëtimeve dhe përmirësuar humbjet. Paralelisht me këto rezultate janë rritur edhe ankesat e konsumatorëve për faturat e fryra dhe tarifat e aforfesë. Sipas marrëveshjes së firmosur pak ditë më parë mes ministrit të Energjetikës, Genc Ruli dhe CEZ, në njërën nga pikat thuhet se, deri në muajin gusht, investitori i huaj do të kryejë një vlerësim të tijin për sa i takon performancës financiare të OSSH-së. Nga muaji maj e deri në shtator 2009, CEZ do të testojë formën sesi punohet, faturimin, arkëtimet reale, humbjet etj. Në fund do të hartojë një raport-vlerësimi, në bazë të së cilit do të merren vendimet për ndarjen e humbjeve teknike nga vjedhja reale, si dhe për çmimet e energjisë elektrike.