E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE mbron konsumatorin, nuk rrit çmimin e energjisë elektrike

SHKRUAN: Sabina Veizaj 08-12-2011 11:43

Vendimi zyrtar merret të mërkurën e ardhshme, por ERE ka vendosur të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë tariforë. Mbledhja e djeshme në institucionin e ERE-s u fokusua në planin e investimeve të tri kompanive: KESH, OST dhe CEZ Shpërndarje, ku relacioni për këtë të fundit ishte shumë pesimist.

Enti Rregullator i Energjisë merr në mbrojtje konsumatorët shqiptarë, duke mos rritur çmimin e energjisë elektrike. Pritet që edhe për këtë vit, Bordi i Komisionerëve të ERE-s të vendosë të lërë të pandryshuar çmimin e energjisë për kilovat për konsumatorët fundorë tariforë, ku përfshihen edhe konsumatorët familjarë, pasi nuk sheh asnjë arsye ta rrisë atë. Në fakt, vendimi zyrtar është shtyrë të merret të mërkurën e ardhshme, pasi gjatë mbledhjes së djeshme të Bordit të Komisionerëve të ERE-s nuk u konkludua me miratimin e planit të investimeve të kompanisë CEZ Shpërndarje dhe gjithashtu HECE-t e vogla të sapolicencuara, Lana Bregasi, Shkopet, Ulza, në aplikimin e tyre për ndryshimin e tarifave të energjisë nuk kanë prezantuar planin e investimeve. Pritet që ERE, në bazë të përllogaritjes së kostove sipas metodologjisë së përcaktuar të rrisë çmimin e energjisë për KESH-in, por jo për CEZ Shpërndarjen në drejtim të konsumatorëve fundorë tariforë. Kjo e fundit, për 2011-ën rezulton nga raporti i grupit të punës së ERE-s të mos ketë realizuar gati 50% të planit të investimeve të miratuara nga ERE. Specialistët e grupit të punës të ERE-s deklaruan gjatë mbledhjes që zgjati më shumë se dy orë, se CEZ Shpërndarje nuk i ka realizuar investimet e planifikuara për vitin 2011 dhe pjesa e realizuar ka qenë thjesht transfertë asetesh dhe jo investime. Pikat e nxehta të debatit në lidhje me planin e investimeve për kompaninë CEZ Shpërndarje ishin devijimi nga plani dhe mosrealizimi i tij, gjithashtu edhe projekti për aplikimin e matësve me parapagim. Sipas specialistëve të ERE-s, nga vëzhgimi ka rezultuar se Nënstacioni i Tiranës Qendër nuk ka njohur investime edhe pse fondet janë marrë çdo vit. Ky nënstacion tanimë rezulton jovizibël. Specialistët kërkuan që fondet për projektet e parealizuara të spostohen në projekte të tjera. “Projekti pilot për matësit me parapagesë është sa 25% e vlerës së investimeve totale për tre vjet. Nuk ka asnjë sistem që 25% e investimit total ta shpenzojë për matjen, ndërsa matjen e kemi të realizuar. Ne nuk e kemi atë luks. Dy alternativa janë: ose të hiqen për pamundësi investimi, ose të zëvendësohen me projekte që kanë efekt. Kjo mënyrë nuk aplikohet më në vendet e Europës. Nuk është një mënyrë për të minimizuar mospagesat, pasi delikuentët e energjisë do të konsumonin më shumë dhe do të vidhnin më shumë”,- u shpreh njëri nga specialistët e ERE-s. Gjithashtu, ata deklaruan se duke qenë se Tirana është ende ‘e pangopur’ me energji, i garantojnë rrjetin CEZ Shpërndarjes për të ndërtuar një nënstacion. “Shqetësues mbetet zbatimi i investimeve 2010-2011. Kompania ka pasur transferime asetesh, jo investime reale. Cilat janë garancitë që plani që do të miratojmë do të zbatohet?”- pyeti komisioneri, Shkëlqim Borgo. Ndërsa Entela Shehaj, komisionerja tjetër e Bordit, kërkoi të miratohet një plan investimesh i matur. “Duhet të ishte dhënë me shkrim kërkesa e miratimit me kusht. Vëzhgimi për objektet kryesore të ketë argumente me fjalë. Në relacion të ketë një analizë financueshmërie të projekteve”, - tha Abaz Aliko. Jo të bindshme, specialistët e ERE-s konsideruan edhe shpenzimet për linjat e reja. Sipas tyre, një linjë e re është sa 1 herë e gjysmë e totalit të shpenzimeve. Në relacionin e grupit të punës së ERE-s citohet se “gjatë studimit të aplikimit për miratimin e investimeve të periudhës së tretë rregullatore, grupi i punës konstatoi disa investime, të cilat mund të shtyhen pas vitit 2014, si dhe investime të cilat kanë nevojë të studiohen më thellë për të siguruar efektivitetin e nevojshëm për kapërcimin e gjendjes në të cilën ndodhet sistemi i shpërndarjes në Shqipëri”. Në konkluzionet e tij, grupi i punës kërkoi që të miratohet vlera e investimeve të parashikuara në aplikimin e bërë nga CEZ-Shpërndarje, për çdo vit dhe të ndara sipas grupimeve; miratimi i planit të investimeve të bëhet me kushtin që investimet e zërave N/Stacione dhe Matje të rishikohen dhe plotësohen në frymën e vëzhgimeve të dorëzuara deri më 31 mars 2012 dhe të miratohet nga ERE deri më 15 maj 2012; të sugjerohet dhe nxitet zhvillimi i investimeve në drejtim të linjave ABC, të cilat kanë efektin më të lartë në zvogëlimin e humbjeve teknike e joteknike.

Investimet e kontestuara të CEZ

- N/STACIONE -

N/STACIONET (INVESTIME 2012) 1,268,546,000

Hartimi i studimit të fizibilitetit dhe projekt-zbatimit për N/st Tirana Qendër 20,000,000

Ndërtim-montimi i N/st 110/20 kV N/st Tirana Qendër (faza e parë) 100,000,000

Rikonstruksion i N/st Golem 110/6 kV 30,000,000

Rikonstruksion i N/st Selite 110/20 kV (ndërtimi i një trakti të ri 110 kV) 185,000,000

N/STACIONET (INVESTIME 2013) 950,000,000

Ndërtim-montimi i N/st 110/20 kV Tirana Qendër 400,000,000

Ndërtim-montimi i N/st 110/20 kV TEC 150,000,000

N/STACIONET (INVESTIME 2014) 1,240,000,000

Ndërtim-montim i N/st Tirana Qendër 110/20 kV 500,000,000

Ndërtim-montim i N/st TEC 110/20 kV 180,000,000

- MATJE -

INVESTIME NE MATJE (INVESTIME 2012) 1,527,530,000

Instalimi i sistemit të matjes për kompletimin e lidhjeve të reja 350,130,000

Instalimi i 50,000 matësve me parapagese 1,120,000,000

INVESTIME NE MATJE (INVESTIME 2013) 1,420,000,000

Instalimi i sistemit të matjes për kompletimin e lidhjeve te reja 300,000,000

Instalimi i 50,000 matësve me parapagesë 1,120,000,000

INVESTIME NE MATJE (INVESTIME 2014) 1,360,000,000

Instalimi i sistemit të matjes për kompletimin e lidhjeve të reja 240,000,000

Instalimi i 50,000 matësve me parapagesë 1,120,000,000

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›