E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: Çmimet e energjisë nuk rishikohen deri më 2014

SHKRUAN: Sabina Veizaj 12-10-2011 11:43

Dokumenti zyrtar i rregullimit të çmimeve të energjisë (Deklaratës Rregullatore) parashikon që çmimet e energjisë të vitit 2012 do të jenë të vlefshme deri më 2014-ën. Që do të thotë, tarifat që ERE do të miratojë në dhjetor të 2011-ës, do të jenë të vlefshme dhe të pandryshueshme deri në vitin 2014. Pas këtij viti, kërkesa për çmimin do të shqyrtohet një herë në tre ose pesë vjet. Deklarata rregullatore e cila dikton një praktikë të tillë, është nënshkruar në momentin kur u privatizua OSSH-ja. Sipas kësaj deklarate, për periudhën 1 janar 2009-31 dhjetor 2009, ishte një periudhë tranzitore, gjatë së cilës nuk pati ndryshim në tarifat ekzistuese. Tarifat e reja u bënë efektive, duke filluar nga data 01 janar i atij viti. Sipas deklaratës rregullatore, periudha e parë e rregullimit të tarifave ishte janar–31 dhjetor 2010; periudha e dytë e rregullimit do ishte 1 janar-31 dhjetor 2011 dhe periudha e tretë e rregullimit do të jetë 1 janar 2012–31 dhjetor 2014. Ndërsa periudhat vijuese të rregullimit do të jenë nga 3 deri në 5 vjet. Për të gjithë këtë periudhë, CEZ paraqet aplikimin për tarifë të re energjie, jo më vonë se 1 shtatori i vitit kalendarik, që paraprin atë periudhë rregullatore apo atë vit. Sipas deklaratës rregullatore, ERE do t’i aprovojë këto tarifa jo më vonë se data 7 dhjetor i të njëjtit vit kalendarik. Tarifat e aprovuara do të bëhen efektive më 1 janar të vitit në vazhdim, sipas përcaktimeve të kontratës për çmimin, ndërmjet ERE dhe CEZ shpërndarjes. Ndërsa, për sa i përket miratimit të deklaratave rregullatore vijuese, jo më vonë se 30 qershor 2014, ERE do të miratojë një deklaratë rregullatore për periudhat e rregullimit që vijojnë pas vitit 2014, e cila nuk do të ndryshojë ndjeshëm në metodologji nga kjo deklaratë rregullatore dhe për të mënjanuar çdo dyshim, Deklarata Rregullatore e re do të vazhdojë të përmbajë Mekanizmin e Kompensimit. Në rast se kërkesa për të ardhura e CEZ për një vit të dhënë rezulton me një rritje të tarifës totale mesatare për konsumatorët tariforë me të lartë se 15%, atëherë rritja minimale e tarifës mesatare e njohur nga ERE do të jetë 15%. Konsumatorët fundorë familjarë, të cilët janë kategoria më e ndjeshme karshi çmimeve, do të përballen këtë vit me një faturë më të shtrenjtë të energjisë elektrike. Tanimë të tre furnizuesit me shumicë dhe pakicë të këtij produkti; KESH, OST dhe CEZ Shpërndarje, kanë bërë aplikimet e tyre sipas traditës pranë Entit Rregullator të Energjisë në muajin shtator dhe ky i fundit është duke analizuar kërkesat e tyre për të vendosur në dhjetor tarifat përfundimtare. Por ndryshimi i tarifave nuk do të ndodhë vetëm për kategorinë familjarë, por edhe për biznesin. Duke iu referuar Deklaratës Rregullatore të miratuar nga vetë Enti Rregullator i Energjisë, pasi është diskutuar me grupet e interesit, rishikimi i çmimit ishte parashikuar të ndodhte edhe në vitin 2011, por në fund të vitit 2010, meqenëse ishte prag fushate elektorale, pas shqyrtimit të aplikimeve të tre operatorëve, ERE vendosi të mos i ndryshonte tarifat e energjisë elektrike, por mbajti në fuqi të njëjtat çmime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›