E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova unifikojnë lejet dhe licencat për transportin e mallrave

Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë më pengesa për sa i përket tregtisë në vendet respektive. Komisioni kuvendor për Veprimtarinë Prodhuese miratoi dje marrëveshjen, e cila unifikon lejet dhe licencat për transportin e mallrave. Sipas kësaj marrëveshjeje, transporti ndërmjet dy vendeve do të kryhet pa iu nënshtruar sistemit të lejeve, por vetëm në bazë të lejeve dhe certifikatave që subjektet marrin në vendet përkatëse. Gjithashtu, marrëveshja e ratifikuar në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese përjashton transportuesit të të dyja palëve nga të gjitha taksat lidhur me pronësinë, regjistrimin dhe qarkullimin e mjetit. “Është një marrëveshje standard, shumë e mirë, është e negociuar nga të dyja palët, është firmosur nga dy ministrat përkatës dhe unë them se përbën një sukses në marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona. I jep një frymëmarrje tjetër marrëdhënieve tregtare tona. Kjo marrëveshje shoqërohet me një fluks shumë të madh të shkëmbimit të mallrave dhe të udhëtarëve. Por edhe hapja e ‘Rrugës së Kombit ka ndihmuar shumë që ka përmirësuar kushtet e transportit”,- deklaroi përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve, Arian Budo. Përjashtim nga lehtësitë që parashikon kjo marrëveshje bëhet vetëm për transportin për ose nga vendet e treta, pra kur Shqipëria dhe Kosova do të jenë tranzit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›