ERT, Olldashi paraqet arsyet e largimit të Kopanit
• Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese nisi dje procesin e shqyrtimit të kërkesës së Qeverisë për të shkarkuar kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve.Në këtë takim i ftuar ishte ministri i Transportit, Sokol Olldashi dhe përballë tij ishin kreu i ERT-së, Hydajet Kopani dhe anëtarët e këtij institucioni. "Sipas ministrit Olldashi, iniciativa e mësipërme vjen si pasojë e neglizhencës së rëndë të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator gjatë procedurës së miratimit të metodologjisë së rregullimit të tarifave të organizmave me fuqi të ndjeshme në treg (OFNT) dhe mungesës së seriozitetit në ushtrimin e detyrës. "Ministria e PPTT-së ka përgjegjësinë ligjore të reagojë ndaj çdo fenomeni negativ, që ndikon pa të drejtë në buxhetin e konsumatorit shqiptar të telefonisë celulare", tha Olldashi. Sipas tij, për shkak të mosveprimit të Entit rezulton sipas statistikave zyrtare, që Shqipëria në fushën e telefonisë celulare klasifikohet ne vendet me tarifat më të larta. Por kreu i ERT-së, Kopani u shpreh se nuk ishte vënë në dijeni të materialit të paraqitur nga qeveria për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të këtij institucioni. Ai u shpreh se ERT-ja ka ndërhyrë në përcaktimin e çmimeve të telefonisë mobile, duke realizuar uljen e çmimeve deri në 43 për qind. Kopani akuzoi më pas Albtelecomin. "Ne duhet të shqetësohemi me problemin që ka të bëjë me ngushtimin e rrugëve ndërkombëtare të trafikut, i cili është bërë qëllimisht nga Albtelecom për të lejuar shteg veprimi për anashkalimin e trafikut ndërkombëtar në trafik kombëtar. Kanë ngushtuar rrugët ligjore të hyrjes së trafikut ndërkombëtar në Shqipëri dhe i kanë hapur shtegun rrugëve të tjera, për të cilat ne nuk kemi dijeni", tha Kopani. Komisioni pritet të marrë vendim të mërkurën për kërkesën e qeverisë për shkarkimin e drejtuesve të ERT-së dhe të anëtarëve, Hydajet Kopani, Anila Kaçupi, Shyqeri Meka dhe Arjan Sinoimeri. Kreu i ERE-s, Kopani kërkoi shtyrjen e vendimit të komisionit, gjersa të njiheshin me materialin e paraqitur nga qeveria.Raporti hetimorNë vendimin e qeverisë për paraqitjen e kërkesës së shkarkimit të disa prej anëtarëve të këshillit drejtues të ERT-së, bazohet dhe në raportimin e Komisionit Hetimor parlamentar për hetimin e tregut monopol të celularëve. Vendimit i është bashkangjitur dhe raporti voluminoz i komisionit. Por ky raport i Komisionit Hetimor që drejtohej nga deputeti i PAD-së, Ceka nuk mund të ketë vlerë pasi ai nuk është miratuar nga Parlamenti.