E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi, takime me Berishën, Ramën e Metën

• Kryeministri Sali Berisha tha dje pas takimit me kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi, se ata që i vunë zjarrin pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë ishin të njëjtët persona që dogjën ambasadat në Beograd.“Një gjë është e sigurt, se ata që dogjën pikat kufitare nuk ishin serbët e zonës mbi lumin Ibër apo serbët e Mitrovicës së veriut. Pikat kufitare i dogjën të ardhurit, ata që dogjën dyqanet dhe ambasadat në Beograd”. Nga ana e tij, kryeparlamentari i Kosovës vlerësoi qeverinë shqiptare për mbështetjen që po jep në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe sinkronizimin e mjaft projekteve në ekonomi, në lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe me ecurinë me shpejtësi të ndërtimit të rrugëve jetike për zhvillimin e Kosovës dhe tërë rajonit si rruga Durrës-Morinë, ajo e Arbrit dhe rruga e luginës së Drinit, Fierzë-Koman. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha pas takimit me Krasniqin se, “ne shpresojmë që kjo do të jetë një  vizitë shumë e dobishme për të forcuar marrëdhëniet parlamentare midis dy vendeve tona dhe në këtë drejtim, ne ju sigurojmë mbështetjen tonë të vendosur për të gjitha projektet që forcojnë  bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”. Ndërsa kreu i PS-së, Rama, tha: “Ky është një emocion i jashtëzakonshëm, ashtu sikundër është edhe fillimi i ecjes përpara në një barrë të jashtëzakonshme, që është barra e integrimit të popullit shqiptar si tërësi në Evropën e Bashkuar, përmes punës që duhet të bëjnë të dy shtetet tona së bashku edhe me të gjithë të tjerët në rajon”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›