E Diel, 1 Nëntor 2026

Tani shqiponjat fluturojnë në qiell

• Pak më shumë se një javë më parë, ndërsa shihja festimet në Prishtinë, Tiranë dhe qytete të tjera të rajonit, festimet e pavarësisë së Kosovës, m’u kujtua një poemë, një poemë e shkurtër nga një poet shqiptar.John L. WithersNë qoftë se i mbaj mend saktë fjalët, ajo thotë: “Kam vënë re: kur stuhia afron, zogjtë e vegjël cicërijnë dhe tulaten; vetëm shqiponja hap krahët e saj dhe shkon drejt stuhisë.”  Dhe mendoj se të gjithë ne mund të themi se javën e kaluar ne pamë se shqiponjat ishin në qiell. Ishte mirë të shihje njerëz që festonin; është mirë të shohësh njerëz që marrin frymë lirisht në tokën e tyre. Do të ketë shumë vështirësi përpara për shtetin e ri të Kosovës; do të ketë shumë vështirësi për të gjithë rajonin. Por, nëse ne të gjithë punojmë sipas pikave të Planit Ahtisari, unë mendoj se Kosova e pavarur dhe i gjithë ky rajon janë në rrugën e paqes dhe drejtësisë. U emocionova kur pashë flamurin amerikan të valëvitej nga turmat. Jam krenar për rolin amerikan në përpjekjet për një Kosovë të pavarur.  Por, ajo që unë mendoj se është e rëndësishme, ajo që dua t’ju them sot, është se mbështetja amerikane nuk përfundon me arritjen e pavarësisë. Ne do të punojmë me organizmat ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe NATO për të siguruar qëndrueshmërinë e Kosovës. Një nga fokuset tanë kryesorë do të jetë ndihma për ekonominë e Kosovës.Ne po presim të marrim pjesë në një konferencë ndërkombëtare donatorësh në muajt e ardhshëm, ku ne do të angazhojmë rreth 400 milionë dollarë si asistencë për ekonominë kosovare.  Nuk kam si qëllim të flas gjatë, por do të doja të thoja disa fjalë për disa organizata dhe vende. Së pari, do të doja të përshëndesja Bashkimin Evropian që mori rolin e liderit në këtë proces të vështirë diplomatik dhe shtet-formues. Ne shpresojmë që falë veprimeve të tyre të mund të shohim një kontinent të plotë, të lirë dhe në paqe. Do të doja t’i thoja një fjalë dhe Serbisë: Ne nuk duam marrëdhënie të këqija me Serbinë; ne jemi të gatshëm të punojmë me Serbinë për të arritur qëllimet e saj evropiane. Por, dhuna nuk është rruga e duhur.  Dhe do të doja t’i thoja një fjalë dhe Shqipërisë: Shqipëria ka luajtur një rol kyç, nën udhëheqjen e Presidentit Topi dhe anëtarëve të qeverisë suaj, për të sjellë këtë ditë të lumtur në Kosovë. Kur të ketë stabilitet, kur Kosova të ketë krijuar demokracinë e vet multietnike; kur të ketë garantuar të drejtat e minoritetit dhe kur të jetë ne rrugën e prosperitetit, atëherë mendoj se Shqipëria me të drejtë mund të marrë merita për shumë gjëra që janë arritur.Në këtë moment, në këtë muaj, në vendin tim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne festojmë muajin e kulturës afro-amerikane, historinë e njerëzve të mi. Ne, ashtu si kosovarët, kemi bërë një rrugë të gjatë drejt lirisë. Ndoshta është domethënëse fakti që 17 shkurti, dita e pavarësisë së Kosovës, është vetëm dy ditë para ditëlindjes së liderit tonë, Martin Luter King.  Dhe ndoshta duhet ta mbyll me disa fjalë të tij që mund të kenë kuptim të veçantë për popullin e Kosovës sot. Ditën para se të vdiste, ai foli në një kishë të vogël në Memfis, Tenesi. Ai tha se nuk kishte më frikë, sepse, në fjalët e tij, “Unë isha më majë të malit, vështrova tej dhe pashë Tokën e Premtuar”.Mendoj se mund të themi se populli i Kosovës dhe të gjithë miqtë e tij janë ngjitur në majën e pavarësisë dhe çfarëdo vështirësish të ketë përpara, ne mund ta shohim Tokën e tyre të Premtuar.*Fjala e ambasadorit të SHBA, në Tiranë, mbajtur në forumin “Kosova dhe Sfidat e Saj Pas Pavarësisë”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›