ESK: Eksporti, vjet ra 18 për qind
Kriza ekonomike globale ka ndikuar edhe në bilancin tregtar të Kosovës, gjatë vitit 2009. Krahasuar me vitin paraprak, sipas drejtuesve të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), rënia e eksportit është thelluar akoma.
Drejtori për ekonomi në Entin e Statistikave, Ilir Berisha, ka thënë për Kosovapress se gjatë vitit të kaluar ka pasur një rënie në total të eksportit prej 18.1 për qind.
“Në vitin 2009 kemi pas një rënie si në import, ashtu edhe në eksportin e mallrave. Rënia e importit ka qenë për 1.5 për qind krahasuar me vitin 2008, ndërsa eksporti ka shënuar rënie 18.1 për qind”, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se në Shqipëri kishte një ngritje të eksportit nga 10.6 për qind sa ishte të total të eksportit të vitit 2008 në 15.3 për qind në vitin 2009. Ndërsa importet nga 36 për qind sa ishin në total në Bashkimin Evropian, ato shënuan rritje në 39 për qind në vitin 2009.
Sa i përket vendeve në rajon, ka një rënie me Maqedoninë, në total të importit të vitit 2008, ku Maqedonia merr pjesë me 18 për qind, ndërsa në vitin 2009 kjo përqindje ka shënuar rënie në 15 për qind.
Berisha ka bërë të ditur se është shënuar rënie e eksporteve me vendet e Bashkimit Evropian prej rreth 23 milionë euro.
Zyrtarët e Entit të Statistikave deklarojnë se duke shikuar ecurinë e vazhdueshme në baza mujore kjo ka ardhur si pasojë e krizës globale që disa produkte kanë qenë të afektuar si në rënien e çmimeve, sidomos produktet ku Kosova kishte eksportet më të mëdha edhe në tregun e jashtëm.