E Shtunë, 31 Tetor 2026

ETA godet sërish, shpërthime të fuqishme në Majorka

Tre bomba kanë shpërthyer sërish dje në ishullin Majorkës në Spanjë. Fatmirësisht, kësaj radhe nuk është shënuar asnjë i plagosur apo viktimë, ndoshta edhe për faktin se grupi separatist bask, përmes dy telefonatave në një qendër radiotaksish, kishte njoftuar se në vend do të kishte shpërthime të njëpasnjëshme të tre bombave të vendosura pranë zonave turistike. Bomba e parë shpërtheu në restorantin "La Rigoletta", e dyta në një prej lokaleve "Enco", ndërsa e treta në një hotel. Hoteli i vendosur shumë pranë "Sheshit të Spanjës" kishte një largësi të konsiderueshme nga zona ku ndodhën dy shpërthimet e tjera, në restorantet përgjatë bregut të "Paseo del Portixol". Të gjithë klientët dhe punonjësit e hotelit u evakuuan, ndërsa zona u izolua nga forcat e rendit. Sipas gazetës "El Pais", që citon burimet policore, bomba e parë që shpërtheu në restorantin "La Rigoletta" është gjetur e futur në një çantë në tualetin e femrave. Shpërthimet ndodhën vetëm pak kohë pasi ETA pranoi se ishte autorja e sulmeve të ndodhura në vend në muajin qershor dhe korrik, ku humbën jetën edhe dy agjentë të rojeve civile. Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, sulmet janë hakmarrje e qeverisë ndaj kësaj organizate. Separatistët baskë konsiderohen përgjegjës për më shumë se 800 të vdekur në 40 vitet e fundit në përpjekjen e tyre për të marrë pavarësinë nga Vendet Baske që gjenden të veri të Spanjës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›