E Diel, 1 Nëntor 2026

MEDYSHJE TE BASHKEQYTETAREVE TANE

Është fjala për pozicionin e dyzuar të banorëve serbë të Kosovës ndaj një vargu çështjesh jetike për qytetarët e një shteti demokratik. Ky dyzim i bashkëqytetarëve tanë serbë është i pranishëm e manifestohet në qëndrime ndaj problemeve politike, ekonomike, administrative, sociale, kulturore, arsimore etj. Fillojnë me mëdyshjet për të jetuar apo mos jetuar në Kosovë; për t‘u punësuar apo jo në organet e administratës publike, në polici dhe në organet e drejtësisë; për ta konsideruar veten qytetarë të shtetit të Kosovës, apo, për ta injoruar e refuzuar statusin preferencial që u njeh Kushtetuta; për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në krijimin dhe funksionimin demokratik të shtetit qendror e vendor në Kosovë; për t‘i kundërshtuar apo për t‘ju kundërvënë atyre. Vargu i dilemave të bashkëqytetarëve tanë serbë, që vazhdon e mund të rritet edhe më, me detajimin e mëdyshjeve që përmendëm, mund të reduktohet lehtësisht vetëm në këtë kundërvënie: Banorët e etnisë serbe në Kosovë do të pranojnë dhe do të angazhohen realisht për t‘u ndierë qytetarë të barabartë të këtij shteti, apo do ta refuzojnë në mënyrë paradoksale këtë status, duke jetuar e punuar në Kosovë?! Përdorëm fjalën paradoks, për të cilësuar mëdyshjen thelbësore të serbëve, sepse kundërshtimi kokëfortë i shumicës së tyre për të anashkaluar e injoruar shtetin dhe ligjin në kundërshtim e në dëm të interesave të tyre jetike, nuk mund të shprehet me fjalë tjetër. Por, edhe pse ky dyzim është paradoksal në shfaqje e në rrjedhoja, ai ngrihet dhe mbahet gjallë nga realitetet e arsyeshme.

Numri dhe fushëshfaqjet e mëdyshjeve të serbëve kanë qenë fund e krye në varësi të zhvillimeve politike në Kosovë pas vitit 1999 dhe, sidomos, pas shpalljes së Pavarësisë sonë. Ato ushqehen e nxiten nga Beogradi, i cili, jo vetëm është i interesuar për kundërvënien e bashkëqytetarëve tanë serbë ndaj shtetit të Kosovës, por edhe "kujdeset" për ruajtjen dhe kultivimin e kësaj kundërvënieje. Një gjë e tillë është aq evidente, saqë sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, në një intervistë të dhënë ditët e fundit në radion "Europa e Lirë", në përgjigje të pyetjes për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, deklarohet pa hezitim: "Nëse Serbia thotë qartë jo, atëherë asnjë serb nuk do të pranojë. Secili serb që e ndjen veten serb, nuk do të pranojë ndonjë gjë tjetër. Cilido prej tyre, që mund të mendojë ndryshe pa ndihmën e Serbisë, nuk mund të bëjë asgjë". E shprehur ndryshe, kjo çka u thotë Ivanoviç bashkëqytetarëve tanë është imponimi flagrant i Beogradit për të nxitur ndër ta qëndrimin antiligj dhe antishtetit të Kosovës.

Dihet që dilemat e vështirësojnë jetën. Kjo ndjehet nga çdo individ, bashkësi, komunitet, madje dhe komb. Por dihet gjithashtu që jeta e dhimbshme në mëdyshje nuk zgjidhet e nuk pëlqehet; ajo kushtëzohet nga ballafaqimi e konkurrimi i arsyeve të fuqishme e të barasvlefshme. Serbët e Kosovës vuajnë dilemën nga kundërvënia kokëfortë politike, diplomatike, ekonomike e etnike e Beogradit ndaj Prishtinës. Kushtëzohen e ndikohen shpirtërisht, ekonomikisht dhe, jo rrallë, persekutohen edhe psikologjikisht si "tradhtar", nëse zbatojnë ligjin e respektojnë shtetin e Kosovës. Por, njëherësh kur duhet t‘u binden kërkesave jo vetëm propagandistike të shtetit serb, bashkëqytetarët tanë, që kanë të ndryshme nga gjithë shtetasit e tjerë të Kosovës vetëm përkatësinë etnike, ngrysen dhe gdhihen në shtëpitë, bizneset dhe pronat e tyre në Kosovë, bashkëjetojnë e komunikojnë jo vetëm me njëri-tjetrin, por pashmangësisht kontaktojnë me struktura shtetërore e ndeshen me ligjin, presin lindjet dhe përcjellin ata që largohen nga jeta. Jetojnë në Kosovë! Për sa kohë nuk mendojnë të largohen prej saj u duhet të tregohen të "kujdesshëm" dhe "jo agresivisht anti në shumicë" ndaj shtetit kosovar. Por edhe të lidhur "shpirtërisht dhe përjetësisht" me Serbinë, shtet gati 200-vjeçar, bashkëqytetarët tanë serbë enden mes historisë dhe realitetit, mes diskriminimit pozitiv, që u bën dhe u garanton Ligji Themelor i Shtetit të Kosovës (Kushtetuta i favorizon dukshëm, krahasuar me pakicat e tjera në Kosovë, madje edhe krahasuar me qytetarët e kombësisë shqiptare) dhe mbështetjes financiare politike, morale dhe fetare të Serbisë.

Bashkëqytetarët tanë serbë janë bartës dhe aktorë të mëdyshjeve, që i pengojnë të gëzojnë e të ushtrojnë një varg kompetencash të gjera, të ofruara nga ligji për menaxhimin sidomos të çështjeve vendore në fushën e arsimit, shëndetësisë, ruajtjes së rendit, infrastrukturës, etj. Me këtë pozicionim ata, me dashje apo pa dashje, në vend që të shërbejnë si urë lidhëse e miqësie mes Serbisë e Kosovës, si çdo minoritet në vendet demokratike, fatkeqësisht po i shërben së kundërtës, duke u shndërruar në një barrierë ndarëse midis dy popujve tanë. Ngjarjet më të fundit te Kroi i Vitakut në Mitrovicë, e përcjellin dukshëm një mesazh të tillë.

Sidoqoftë, mëdyshjet e shumicës së serbëve të Kosovës janë dhe me siguri do të jenë të përkohshme, sepse e shkuara, e sotmja dhe e nesërmja e tyre janë të lidhura ngushtësisht me Kosovën. Çdo ditë e më shumë ata do të ndërgjegjësohen për këtë dhe detyrimisht do t‘i nënshtrohen kësaj logjike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›