E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonesat në analiza rrezikojnë mjekimin me tamiflu

Vonesat në përgjigjet e analizave për personat e dyshuar si të prekur me virusin e gripit të derrit AH1N1, mund të rrezikojnë mjekimin në kohë me tamiflu të pacientëve. Kjo, për shkak të faktit se ky mjekim duhet të nisë me patjetër brenda 48 orëve që nga fillimi i simptomave të para të këtij gripi. Në të kundërt mjekimi nuk do të ketë efektin e dëshiruar.

Një situatë e tillë duket se i ka vendosur mjekët infeksionistë në vështirësi për të filluar trajtimin me tamiflu. Pëllumb Pipero, mjeku infeksionist, si edhe anëtar i komisionit të pandemisë që është ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë,

shprehet se tashmë rritja e numrit të mostrave që analizohen në laboratorin e virologjisë në ISHP, i ka kaluar kapacitetet. Një gjë e tillë, sipas tij, ka sjellë për pasojë një vonesë në përgjigjen e analizave për personat e dyshuar dhe një problem për fillimin e kurës me tamiflu, e cila e ka efektin e saj në organizëm ndaj virusit AH1N1, brenda 48 orëve që nga shfaqja e shenjave klinike.

"Në rast se një pacient vjen me shenjat klinike të influencës apo të gripit, qofshin këto respiratore, qofshin këto gastrointestinale dhe kanë të dhëna të forta epidemiologjike për të dyshuar, ne si specialistë për AH1N1 duhet të marrim një vendim, të fillojmë trajtimin me tamiflu apo të mos e fillojmë. Tashmë, duke qenë se numri i masave është rritur, kapacitetet nuk e përballojnë dot numrin e mostrave, ne nuk e marrim dot përgjigjen për tre orë, por për tri ditë. Tri ditë do të thotë që e kalon afatin e 48 orëve ndaj ne duhet të marrim një vendim më shpejt se kaq", sqaron më tej mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero.

Ai konfirmon se departamenti i sëmundjeve infektive pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza", ka marrë një vendim për trajtimin e personave të dyshuar me tamiflu të paktën 5 ditë.

"Për të gjitha rastet që paraqiten në spital apo kërkojnë ndihmën mjekësore në shtëpi dhe plotësojnë kriterin klinik e atë epidemiologjik të fillohet trajtimi me tamiflu, pavarësisht nga koha e ardhjes së përgjigjes së analizave nga ISHP-ja dhe ta vazhdojnë trajtimin në rast se mjeku është i bindur ta vazhdojë trajtimin për pesë ditë së paku", theksoi më tej mjeku Pipero.

Ai ka pohuar se trajtimi me tamiflu sjell të njëjtat efekte anësore si te një pacient me grip, si dhe te një pacient që nuk është i dyshuar, prandaj në çdo rast tamifluja duhet të përdoret me rekomandim nga mjeku.

Analizat paraprake të personave të dyshuar për A(H1N1) të kryera pranë laboratorit të virologjisë në ISHP, kanë rezultuar me gripin A, por konfirmimi zyrtar do të vijë nga laboratori i referencës në Rumani. Aktualisht priten përgjigjet për 13 raste të dyshuara pas 8 personave të konfirmuar si të prekur nga ky virus. Për rastet e konfirmuara si të prekur nga gripi i derrit, por edhe për të dyshuarit, që deri tani kanë rezultuar me gripin A, autoritetet shëndetësore pohojnë se të gjithë kanë paraqitur një kuadër klinik të lehtë. Ata kanë shfaqur temperaturë rreth 38 gradë, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulare dhe lodhje. OBSH-ja shpreson që deri në mes të muajit tetor të jenë gati rreth 100 milionë doza vaksine. Megjithatë, për shkak të faktit se vaksina po prodhohet me nxitim, ka shqetësime rreth rrezikut të efekteve anësore, ose për reaksionin alergjik që mund të shkaktojë në organizëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›