E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes bankierja e një supermisteri

Vdekja e bankieres më të njohur serbe, Borka Vuçiç (84 vjeçe), në një aksident automobilistik, që ndodhi para disa ditësh në një autostradë, 100 kilometra në jug të Beogradit, është temë qendrore e të gjitha gazetave serbe, e lidhur kjo edhe me faktin se emri i saj figuron në një nga aferat misterioze më të mëdha në historinë e mbas-luftës të Jugosllavisë dhe Serbisë. Vuçiç, bashkëpunëtore e ngushtë e ish-diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç, e njohur ndryshe si bankierja personale e tij, përflitet gjerësisht në Serbi se, gjatë kohës së luftërave të fundit në ish-territoret jugosllave, ajo, në cilësinë e presidentes së një banke serbe në Qipro, ka ndihmuar Millosheviçin që të nxjerrë ilegalisht nga vendi rreth 12 miliardë dollarë, duke i depozituar ato në bankat e Qipros, dhe që ai (Millosheviçi) të shmangte sanksionet ekonomike të vendosura nga OKB-ja ndaj Serbisë për shkak të pjesëmarrjes së ushtrisë së saj në luftërat në Bosnjë dhe Kroaci. Madje Prokuroria e Serbisë ka hapur prej vitesh (2003) një dosje për aferën e zhdukjes së afro 12 miliardë dollarëve, të pagjetura sot e kësaj dite, nga Serbia, ndërsa ka disa kohë që kishin nisur edhe seancat gjyqësore, ku znj. Vuçiç ishte dëshmitare kyçe. Aksidenti fatal i saj, sipas medias serbe, në rrethana të pashpjegueshme, e bën edhe më enigmatike aferën e zhdukjes së shumës së madhe të parave që, sikurse thuhet në Serbi, u çuan në Qipro fshehurazi me aeroplan me urdhër të vetë Millosheviçit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›