Tragjedi mbi qiellin e Nju Jorkut, nëntë persona humbin jetën
Nëntë persona, mes të cilëve pesë turistë italianë, humbën jetën kur një avion i vogël turizmi, u përplas me një helikopter mbi qiellin e Nju Jorkut. Për shkak të përplasjes fatale, të dyja mjetet përfunduan në ujërat e lumit Hjudson. Ky moment, që është fotografuar direkt edhe nga televizioni "Fox news", tregon qartë kohën kur të dyja mjetet e komunikimit ajror janë përplasur. "Është përplasja më e tmerrshme e ndodhur ndonjëherë në histori ajo mes një avioni dhe një helikopteri mbi qiellin Nju Jorkut", deklaroi kryetari i bashkisë, Michael Blumberg. Helikopteri turistik i përkiste kompanisë "Liberty Tours", në të cilin pesë turistë italianë po fluturonin për të parë nga lart Statujën e Lirisë dhe grataçielat e Manhatanit mbi lumin Hjudson. Pas impaktit fatal që helikopteri pati me një avion të vogël privat "Piper", me tre persona në bord, mes të cilëve një fëmijë, në fluturim përgjatë bregut të Nju Xhersit, nëntë personat që përfunduan në lum, humbën jetën. "Nuk bëhet fjalë për të mbijetuar dhe deri tani janë gjetur trupat e katër prej viktimave", deklaroi më tej Blumberg. Ai shtoi se janë lokalizuar vendet e rënies së tyre dhe disa prej pjesëve të helikopterit. Ngjarja ka çuditur grupet e hetimit, pasi ishte e pamundur të ndodhte një tragjedi e tillë në një kohë tërësisht të kthjellët dhe me diell. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme të skuadrave të shpëtimit, asnjë prej nëntë personave nuk është gjetur i gjallë. Tragjedia e radhës ajrore u përjetua drejtpërdrejtë nga mijëra persona, që sidomos në fundjavat me diell, preferojnë të shëtisin në kohën e drekës përgjatë dy brigjeve të lumit njujorkez dhe atij të Nju Xhersit. Sipas dëshmitarëve të shumtë okularë, avioni i vogël kishte goditur bishtin e helikopterit. Dëshmi të tjera të dhëna për televizionet amerikane patën thënë se e kishin parë "Piper" që fluturonte lehtë, e dukej sikur kishte humbur kontrollin para se të godiste helikopterin turistik. Bordi i sigurisë kombëtare të transportit, autoriteti amerikan që merret me sigurinë ajrore, do të zbardhë plotësisht shkaqet e aksidentit me pasojë vdekjen e nëntë personave. Deri tani, më shumë se dhjetë grupe hetimore po mundohen të gjejnë të vërtetën. I pyetur për shkaqet e tragjedisë, Blumberg tha se nga të dy pilotët nuk u dha asnjë sinjal për ndihmë. Nuk është hera e parë që lumi Hjudson bëhet "teatër" për aksidente ajrore. Janarin e shkuar, një avion i linjës "Us Airways", u detyrua të bënte ulje emergjence. Megjithatë, gjithçka përfundoi për mrekulli. Atëherë, të 155 personat që ishin bord shpëtuan, falë aftësive të jashtëzakonshme të pilotit, kapitenit "Sully" Sullenbergerche, që më vonë u konsiderua si hero kombëtar. Kësaj here, ashtu siç deklaroi mes lotëve kryetari Blumberg - ishte një histori që nuk pati fund të lumtur.
"Është përplasja më e tmerrshme e ndodhur ndonjëherë në histori ajo mes një avioni dhe një helikopteri mbi qiellin Nju Jorkut", deklaroi kryetari i bashkisë, Michael Blumberg
"Është përplasja më e tmerrshme e ndodhur ndonjëherë në histori ajo mes një avioni dhe një helikopteri mbi qiellin Nju Jorkut", deklaroi kryetari i bashkisë, Michael Blumberg