E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX bastis zyrat e MT. Limaj, i dyshuar për aferra korruptive

Policia e EULEX-it ka bastisur zyrat e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës. Burime të faqes së Internetit Koha.Net kanë bërë të ditur se Policia e EULEX-it ka bastisur në qendër të Prishtinës banesën në të cilën jeton vëllai i ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, Florim Limaj. Forca të shumta të njësive speciale të Policisë së EULEX-it për rreth një orë kanë bllokuar kompleksin e banesave tek kinemaja ABC, ku jeton familja Limaj. Sipas këtyre burimeve, pretekst i bastisjes është dyshimi se ministri Limaj është i përfshirë në afera korruptive me rastin e disa aktiviteteve të prokurimit. Po për këtë shkak, burimet theksojnë se janë bastisur edhe tri kompani përfituese të tenderëve të kësaj Ministrie.

Pa përmendur rastin konkret, Policia e EULEX-it ka njoftuar se ka bastisur disa lokacione, në kuadër të hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë. “Sot në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë,” theksohet në komunikatën e shkurtër të lëshuar, disa minuta pas aksionit, nga Zyra e Informacionit e EULEX-it.

Një ditë më parë për arrestime të niveleve të larta dhe për shkarkime të reja nga institucionet e Kosovës ka paralajmëruar shefi i ICO-së, Pieter Feith, gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan. Edhe më herët gazeta Koha Ditore paralajmroi se Feith i kishte kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi largimin e një ministri, të një dikasteri të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 28 prill 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›