Presidenti kroat paralajmëron destabilizim në rastin e shpërbërjes së shtetit të brishtë

Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç, paralajmëroi lidhur me pasojat negative të shpërbërjes eventuale të Bosnjë e Hercegovinës (B-H), nëse Kryeministri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, vazhdon përpjekjet që synojnë realizimin e kërcënimit të tij për shkëputjen e etnitetit serb nga B-H-ja. Në një intervistë që i dha dje Agjencisë Austriake të Lajmeve, APA, ai gjithashtu vuri në dukje se Dodiku nuk po bën gjë tjetër, veçse po ndjek politikën e Sllobodan Millosheviçit. “Në qoftë se shkëputet etniteti serb, edhe boshnjakët kroatë do të shkëputen, kështu që do të mbetej një shtet islamik, i cili do të gjendej në një rrethim armiqësor që do të mund të mbijetonte vetëm me ndihmën e regjimeve fondamentaliste. Gjatë 50 ose 70 viteve të ardhshme këtu do të krijoheshin qendra të reja të terrorizmit.
Do të kishim një Palestinë të re në zemër të Europës”, paralajmëroi Presidenti kroat në intervistën e lartpërmendur, duke theksuar se përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara në B-H, Valentin Incko, duhet të ketë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që “të mënjanojë elementë të politikës që synojnë zhdukjen e B-H-së”. Bosnjë-Hercegovina, sipas Mesiçit, nuk zotëron mekanizma që duhet të ketë një shtet juridik normal. Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës, por, sidoqoftë, mekanizmat, mbi bazën e të cilëve duhet të funksionojë një shtet, ende nuk janë përcaktuar”, theksoi ai.
“Kemi dy etnitete dhe tre popuj të konstituuar. Njëri nga etnitetet, përndryshe udhëheqja politike e Republikës Srpska, ose e thënë më saktë Kryeministri i saj, nuk e njeh shtetin e B-H-së. Ai nuk njeh as Sarajevën si kryeqytet të vendit. Dodiku vazhdon politikën e Sllobodan Millosheviçit, por vetëm se me mjete të tjera, kritikoi Presidenti Mesiç, i cili e dha intervistën e lartpërmendur me rastin e vizitës së tij në Austri si i ftuar i Presidentit të kësaj të fundit, Hainc Fisher, në koncertin e Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës.
Në Republikën Srpska, theksoi ai, sot e kësaj dite nuk ka pasur asnjë kthim të refugjatëve të shpërngulur gjatë luftës nga ky territor. Sipas tij, në këtë pjesë territori të B-H-së dikur jetonin afro 220 000 kroatë dhe boshnjakë, që përbënin 48 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj kohe, kurse sot nuk jetojnë më shumë se 10 000 prej tyre.